RRUFE

Sindikata e punëtorëve të Telekomit reagon pasi ndërmarrjes iu bllokuan llogaritë bankare

Federata Sindikale e Punëtorëve të Postës dhe të Telekomit të Kosovës kanë kërkuar hetime më të specifikuara në lidhje me kontratën e nënshkruar në vitin 2009 në mes të  Telekomit të Kosovës dhe operatorit Dardafon (Z Mobile), pasi sipas tyre, kontrata në fjalë është shkaktare për bllokimin e llogarive bankare të Telekomit nga një përmbarues.

Llogaritë bankare të Ndërmarrje Publike “Telekomi i Kosovës” janë bllokuar nga përmbaruesi privat, të enjten, më 03.10.2024.

Sipas një njoftimi të Telekomit, bllokimi ndërlidhet me rastin “Dardafon 2”.

Përmes një komunikate për media, Sindikata ka thënë se është e çuditshme, sipas tyre, që në lidhje me kontratën në fjalë asnjë person nuk ka përfunduar në burg.

“Prandaj, vijmë në përfundim se gjithë këto dëme të mëdha financiar për qëllim të pasurimit të disa grupeve dhe individëve në kurriz të punëtoreve, ndërmarrjes, buxhetit shtetit, etj. në njërën anë, ndërsa në anën tjetër heshtja e pashpjegueshme e mekanizmave të Drejtësisë përballë kësaj kontrate. Ketë lloj të heshtjes përballë zhvatjes së hapur ndaj një ndërmarrje publike nuk njeh historia e shteteve demokratike” – thuhet në reagim.

Tutje, Sindikata u ka bërë thirrje mekanizmave të drejtësisë dhe dikastereve qeveritare që të bëhet një hetim i specializuar në lidhje me kontratën.

“FSP-PTK është duke e përcjell me shqetësim bllokimin e llogarive bankare të Telekomit dhe njëkohësish jemi duke i shqyrtuar hapat që do t’i ndërmarrim së bashku me kryesinë dhe punëtoret, në rast se nuk zhbllokohen llogaritë bankare sa më parë” – thuhet në reagim.

Vendimet për këtë rast, Telekomi i ka quajtur të padrejta ndërsa, kjo ndërmarrje publike paralajmëroi ankesë.

“Siç është i informuar publiku tashmë, ky rast është pasoja e dytë më e madhe e një kontrate tejet të dëmshme të vitit 2009, përmes së cilës Telekomi i Kosovës, deri tani, përveçse është dëmtuar financiarisht me mbi 100 milionë euro, është detyruar padrejtësisht të paguajë edhe mbi 60 milionë euro të tjera përmes proceseve gjyqësore që ishin kurdisur përmes kësaj kontrate” – thuhet tutje në njoftim.

“Me këtë bllokim të llogarive Përmbaruesi Privat synon të tërheqë nga llogaritë e Telekomit të Kosovës, dhe për interes të Z-Mobile, edhe rreth 12 milion euro borxh kryesor” – thuhet në reagimin e Telekomit, më 04.10.2024.

https://kallxo.com/lajm/permbaruesi-ia-bllokon-llogarite-bankare-telekomit-te-kosoves/