RRUFE

SHBA-ja: Izraeli ka të drejtën të vetëmbrohet

Këshilli i Sigurisë Kombëtare (NSC) i Shtëpisë së Bardhë ka thënë të martën (01.10.2024) se “operacionet e kufizuara” të Izraelit për shkatërrimin e infrastrukturës së “Hezbollahut” matanë kufirit janë në pajtim me të drejtën e shtetit hebraik për të mbrojtur veten, raporton AP.

Megjithatë, NSC-ja ka paralajmëruar se zgjerimi i operacionit do të përbënte rrezik. Ka shtuar se zgjidhja diplomatike do të ishte shtegu i vetëm për arritjen e stabilitetit të qëndrueshëm përgjatë kufirit të Izraelit me Libanin.

“Kjo është në linjë me të drejtën e Izraelit për të mbrojtur qytetarët e tij dhe të kthejë civilët në shtëpitë e tyre. Ne mbështesim të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten kundër ‘Hezbollahut’ dhe të gjitha grupeve tjera terroriste të mbështetura nga Irani. Natyrisht se ne e dimë se misioni mund të jetë një rrezik dhe ne do të vazhdojmë të diskutojmë këtë me izraelitët”, thuhet në komunikatën e shkruar.

Evakuohen 25 fshatra libaneze

Izraeli e ka nisur atë që e quan “operacion tokësor të kufizuar, të lokalizuar dhe shënjestrues” kundër “Hezbollahut”, raporton BBC.

Të martën në mëngjes (01.10.2024), një zyrtar izraelit sigurie i ka thënë BBC-së se ende nuk ka pasur luftime – por më vonë gjatë ditës një zëdhënës ushtrie ka thënë se forcat izraelite u kanë kërkuar banorëve të 25 fshatrave libaneze të evakuoheshin.

Kryeministri libanez ka thënë se vendi i tij po përballet “me një prej fazave më të rrezikshme” të tij, duke bërë të ditur se një milion libanezë janë larguar nga shtëpitë e tyre.

Bombardimet ajrore izraelite po vazhdojnë – Ushtria izraelite ka bërë të ditur se ka qëlluar Bejrutin, derisa zyrtarët libanezë kanë thënë se një ndërtesë në nkjë kamp refugjatësh palestinezë është bombarduar në afër të Sidonit.

Në Liban, zyrtarët kanë thënë se më shumë se një mijë persona janë vrarë gjatë dy javëve të kaluara të bombardimeve izraelite.

Turqia kërkon tërheqje të menjëhershme të Izraelit

Turqia ndërkohë ka dënuar inkursionin e trupave tokësore izraelite, duke e quajtur “përpjekje të paligjshme invazioni”, dhe ka kërkuar tërheqje të menjëhershme të trupave izraelite nga Libani jugor, raporton AP.

Në një deklaratë të shkruar, Ministria e Jashtme turke ka thënë se inkursioni rrezikon sigurinë dhe stabilitetin e vendeve të rajonit dhe më gjerë, duke spikatur rrezikun e një vale të re emigrantësh dhe ringjalljeje të grupeve ekstremiste. Në deklaratë është thënë se vendet që ofrojnë përkrahje politike dhe armatimi për Izraelin gjithashtu do të prekeshin.

“Këshilli i Sigurimit i OKB-së duhet të lartësojë të drejtën ndërkombëtare dhe të marrë masat e nevojshme kundër kësaj mësymje që ka qëllim pushtimin e Libanit. Çdo krim duhet i kryer nga Izraeli është goditje edhe për të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën e OKB-së”, thuhet në reagimin e diplomacisë turke.

OKB-ja dhe Libani kërkojnë 426 milionë dollarë ndihma

Kombet e Bashkuara dhe Qeveria libaneze ka lansuar një thirrje emergjente për ndihmë humanitare për civilët e goditur nga konflikti me Izraelin, raporton AP.

Thirrja është bërë të martën në Bejrut prej kryeministrit të Qeverisë teknike, Najib Mikati, dhe koordinatorit për ndihma humanitare për Liban prej misionit të OKB-së, Imran Riza.

Mikati ka thënë se Libani po kalon në njërën prej fazave më të sfiduese në historinë e tij. Ka thënë se duhen ndihma për një milionë të zhvendosurit si pasojë e “luftës destruktive të lansuar prej Izraelit ndaj Libanit”.

OKB-ja kërkon depërshkallëzim të gjendjes

Misioni paqeruajtës i OKB-së në Libanin jugor ka bërë të ditur se Izraeli e kishte njoftuar një ditëmë parë për “qëllimin e një ndërmarrjes së inkursioneve të kufizuara tokësore në Liban” dhe e ka përshkruar këtë si “zhvillim të rrezikshëm”.

Deklarata e së martës nga UNIFIL-i nuk ka bërë të ditur nëse paqeruajtësit kanë parë se ushtarët izraelitë kanë kaluar kufirin. Paqeruajtësit janë në pozicione dhe “kanë plane të gatshme kontingjente për t’i aktivizuar nëse absolutisht do të jetë e nevojshme”, thuhet në reagim, raporton AP.

“Çdo kalim në Liban bëhet me shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial libanez, dhe me shkelje të rezolutës 1701”, shtohet në deklaratë, duke iu referuar rezolutës së OKB-së më 2006 që i kishte dhënë fund luftës njëmujore ndërmjet grupit militant libanez, “Hezbollah” dhe Izraelit. “U bëjmë thirrje të gjithë aktorëve që të sprapsen prej akteve të tilla përshkallëzuese, të cilat vetëm se do të çojnë drejt më shumë dhune dhe gjakderdhjeje”.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com


Postuar

,

nga

Etiketa: