Niveli i elementit kimik Mangan është ngritur përsëri në ujin që vjen nga Liqeni i Badovcit përmes Ujësjellësit Rajonal “Prishtina” .
Për këtë arsye, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShPK) ka rekomanduar qytetarët e zonave të caktuara, që mos ta konsumojnë për pije këtë uji.
Instituti përmes një njoftimi ka deklaruar se pas marrjes së njoftimit nga Kryeshefi ekzekutiv i KRU “Prishtina” përmes postës elektronike (me datë 02. 10. 2024, në orët e pasditës) për ngritjen e vlerave të manganit në ujin e Liqenit të Badovcit si dhe në ujin e trajtuar, IKSHPK “ka ngritur vigjilencën për monitorimin e ujit për pije”.
IKSHPK ka bërë të ditur se të enjten më 03.10.2024, ekipi i tyre ka marrë 16 mostra në Zonën – PR03, e cila furnizohet nga Impianti për trajtimin e ujit në Badovc (mostrat e marra janë të shpërndara në tërë zonën e furnizimit nga ky impiant), me qëllim të pasqyrimit sa më real të gjendjes dhe kryerjes së analizave të ujit.
“Nga rezultatet laboratorike, 15 mostra nga numri total i mostrave të marra rezultojnë me tejkalim të standardit për Mangan. Tejkalimet fillojnë nga vlera më e ulët prej 0.062mg/L deri në vlerën më të lartë 0.250 mg/L”- njofton IKSHPK.
Ndërkaq, sipas Udhëzimit Administrativ Nr: 10/2021 “Për cilësinë e ujit të destinuar për konsum nga njeriu”, norma e lejuar për Mangan në ujin për pije është 0.05 mg/L, thekson IKSHPK.
Bazuar në të dhënat e deritashme, IKSHPK thotë se paraqitja e “fenomenit” te manganit në Liqenin e Badovcit është dukuri e vazhdueshme, e cila ndodh kryesisht në kohën e ndërrimit të stinëve.
“Kjo dukuri në vitin e kaluar ishte shqetësuese, sepse përveç vlerave të shtuara të Manganit 2valent, u shoqërua edhe me kohëzgjatje të këtij fenomeni”- shkruan në njoftim.
Sipas Insitutitit, edhe pse mangani konsiderohet një lëndë ushqyese thelbësore dhe kontribuon në shumë funksione trupore, duke përfshirë metabolizmin e aminoacideve, kolesterolit, glukozës dhe karbohidrateve, në formimin e kockave, mpiksjen e gjakut dhe reduktimin e inflamacionit, vlerat mbi 50 µg/L në ujin e pijshëm sillet si ndotës dhe ka ndikim të dëmshëm në shëndet, e posaçërisht tek fëmijët deri në 5 vjeç.
Duke analizuar dhe krahasuar të dhënat me të vitit të kaluar, Instituti thotë se gjatë kohëzgjatjes së këtij fenomeni, vlerat e manganit kanë tendencë të rritjes së vazhdueshme ditë pas dite, andaj IKSHPK për këtë periudhë rekomandon që uji të mos konsumohet për pije dhe të përdoret si ujë teknik për higjienë personale dhe ambientale.
Duke pasur parasysh rezultatet e lartpërmendura, IKSHPK ka rekomanduar KRU “Prishtinën” që “të kontrollohet procesi i dezinfektimit në mënyrë që vlera e Cl rezidual të jetë 0.1-0.2mg/L, e cila garanton cilësinë e ujit në aspektin bakteriologjik dhe në të njëjtën kohë ndihmon në proceset oksido-reduktive; të përcjellet ndotja organike (TOC) në ujin e liqenit dhe në rrjetin shpërndares; zbatimi i procedurave standarde për situatën e krijuar në të gjitha fazat e trajtimit të ujit”.
Pos tyre, IKSHKP ka rekomanduar që të bëhet shpërlarja e rrjetit shpërndarës – gypave magjistral; shpërlarja e rrjetit shpërndarës – segmenteve të vogla dhe të sigurohet ujë higjienik për pije për qytetarët.
IKSHPK njofton se deri me datën 02.10.2024 në rezultatet e mostrave të marra sipas planit të Monitorimit për ujin e pijshëm, nuk ka pasur mostra që kanë rezultuar me vlera të shtuara të manganit mbi standardin e paraparë (0.05 mg/L) sipas Udhëzimit Administrativ Nr: 10/2021 “Për cilësinë e ujit të destinuar për konsum nga njeriu”.
Edhe në tetor të vitit të kaluar, qytetarët që furnizohen me ujë të pijes nga liqeni i Badovcit u alarmuan pas një lajmërimi nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike që të mos konsumohet uji.
https://kallxo.com/kallxopernime/cka-eshte-elementi-kimik-mangan-qe-gjendet-ne-liqenin-e-badovcit/