RRUFE

Rrjeti i Përbashkët i Inteligjencës Kundër Pastrimit të Parave – mekanizmi i ri që lufton krimin financiar

Rrjeti i Përbashkët i Inteligjencës Kundër Pastrimit të Parave të Kosovës (JMLINK) është mekanizim i ri i krijuar për të hetuar, parandaluar dhe luftuar pastrimin e parave, krimin e organizuar, korrupsionin dhe financimin e terrorizmit.

Publikimi i tij u bë përmes një eventi të enjten më 10.10.2024 ku morën pjesë edhe ministri i Financave, Hekuran Murati, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili dhe Ambasadori i Britansië së Madhe, Jonathan Hargreaves.

Ministri Murati bëri të ditur se ky rrjet do të mundësojë koordinimin e përpjekjeve të Qeverisë, sistemit prokurorial, agjencive, institucioneve financiare, bizneseve e aktorëve të tjerë socialë e ekonomikë në luftimin e veprimeve të kundërligjshme financiare.

Ai tha se ky është një hap shumë i rëndësishëm që të hetohen aktivitetet që mund të duken legjitime, por që prapa tyre qëndron pastrimi i parave.

“Nëse secili institucion e shikon veçmas (një veprimtari) është problem të arrihet në përfundimin që kemi të bëjmë me skemë të pastrimit të parave. Prandaj duhet një grupim i tillë, bashkëpunim mes institucioneve që të trajtohen aktivitetet e tilla që në dukje mund të duken legjitime” – tha ai.

JMLINK nga anglishtja Joint Money Laundering Intellegence Network of Kosovo, siç tha Murati do të mundësojë edhe identifikimin më të shpejtë e efikas të kërcënimeve të menjëhershme, ofrimin e udhëzimeve për institucionet financiare dhe bizneset lidhur me aplikimin e masave kundër pastrimit të parave, në mënyrë që aktivitetet e kundërligjshme jo vetëm të luftohen por edhe të parandalohen.

Ky mekanizëm u krijua me mbështetjen e Britanisë së Madhe. Ambasadori britanik tregoi se një mekanizëm i tillë në shtetin e tij është krijuar në vitin 2015.

Prej atëherë, sipas Hargreaves është arritur zhvillimi i mbi 950 hetimeve e 280 arrestimeve, përderisa janë identifikuar rreth 4 mijë e 700 të dyshuar.

Ambasadori dha edhe përshtypjen e tij sa i përket pasurive në Kosovë.

“Unë kam ardhur në Kosovë para 7 muajsh dhe shpesh jam mahnitur nga disa prej shenjave të pasurisë të dukshme me vetura luksoze, stile të shtrenjta të jetesës dhe shpesh kam pyetur si ka mundësi të jetë kjo. Realiteti i dokumentuar ekonomik nuk përputhet me një imazh të tillë” – tha ai.

Ndërsa, ministri Sveçla tha se janë të përkushtuar që policia të ketë të gjitha mjetet e nevojshme për të ndjekur me sukses hetimet financiare dhe për të goditur krimin e organizuar dhe terrorizmin.