Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka folur edhe për Kosovën gjatë konferencës së përbashkët me Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i cili është në vizitë zyrtare në Tiranë.
Përderisa tregoi se Erdogan do të vizitojë Beogradin pas Tiranës, Rama theksoi miqësinë e mbështetjen e Turqisë ndaj Kosovës, duke kujtuar faktin se Turqia është ndër shtetet e para që ka njohur Republikën e Kosovës.
“Një mik më të padiskutueshëm në të gjitha ditët sesa Turqia dhe presidenti [Erdogan], Republika e Kosovës nuk e gjen dot asgjëkund” – tha Kryeministri Rama.
Rama shtoi se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë që situata të përmirësohet.
“Dhe ne ndajmë shqetësimin që situata mes të dyja shteteve duhet të përmirësohet dhe se dialogu duhet të prevalojë dhe e them këtë përpara një personaliteti që dialogun e ka pasur dhe e ka mjetin më të zakonshëm të punës me të gjithë dhe gjithmonë” – deklaroi ai.
Turqia ka njohur pavarësinë e Kosovës, një ditë pas shpalljes së saj, më 18.02.2008.
Erdogan u prit në Shqipëri me ceremoni zyrtare nga Presidenti Bajram Begaj, e më pas u takua me Kryeministrin Edi Rama.
Më pas është planifikuar të zhvillohet mbledhja e Këshillit të Bashkëpunimit të nivelit të lartë Shqipëri-Turqi dhe në përfundim të saj pritet edhe nënshkrimi i disa marrëveshjeve që lidhen me arsimin, bujqësinë dhe median.
Marrëveshja për krijimin e këtij Këshilli u nënshkrua në janar të vitit 2021, ndërsa mbledhja e parë u mbajt në shkurt të këtij viti.
Në Ankara, gjatë vizitës së kryeministrit Edi Rama atje më 20 shkurt, u nënshkruan gjashtë marrëveshje dhe memorandume mirëkuptimi në fushën e mjedisit, bujqësisë, medias dhe ushtarake.
Turqia është ndër investitorët më të mëdhenj në Shqipëri me rreth 3.7 miliardë euro, ndërsa më shumë se 15 mijë shqiptarë janë të punësuar nga 830 kompanitë turke që operojnë në Shqipëri.
Erdogan do të marrë pjesë edhe në ceremoninë e përurimit të xhamisë së Namazgjasë që do të mbahet pasdite, para orës 17:00.
Në shtator të këtij viti u bë publike në media një letër e KMSH-së, ku theksohej se ky institucion jep pajtimin që Xhamia e Namazgjasë të administrohet nëpërmjet një fondacioni, i cili do të jetë “autoriteti i vetëm në këtë aspekt” dhe do të ketë si qëllim të veçantë të tij “marrjen përsipër të menaxhimit, administrimit, funksionimit dhe përdorimit pa afat të xhamisë, si dhe të kompleksit përreth saj”.
Ndërtimi i xhamisë nisi në vitin 2015 dhe themeli u vendos nga presidenti turk, Erdogan. Ai pati deklaruar në atë kohë se organizata FETO ka strukturat e saj edhe në Shqipëri, dhe se u kishte kërkuar krerëve të institucioneve “eliminimin” e tyre.
Punimet u tha se do të përfundonin për tre vjet, por u deshën rreth nëntë vjet që xhamia të përurohet.
Xhamia e Namazgjasë ka një sipërfaqe prej 10,000 metrash katrorë dhe ka kapacitet për 5.000 besimtarë. Pjesë e saj janë edhe bibliotekat, qendra kulturore, parkingu, kursi i librit të shenjtë, Kuranit, salla e ekspozitave, mensa, salla e konferencave, etj.