Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Anton Quni, ka thënë se ushqimi për Forcën e Sigurisë së Kosovës “nuk është një emergjencë e papritur, por është diçka që mund të planifikohet me kalendar”.
Duke përkujtuar çështjen e përmbushjes së standardeve ndërkombëtare ushtarake, ai ka thënë se Kosova si shtet që aspiron anëtarësimin në NATO ka vepruar në kundërshtim të plotë me legjislacionin dhe praktikat e mira të ministrive të mbrojtjes së shteteve demokratike.
“Nga përvojat e vendeve anëtare të NATO-s, ku Kosova aspiron anëtarësimin, është absolutisht e papranueshme që një procedurë kaq e rëndësishme si ajo për ushqimin e ushtrisë sonë të shpërfaq shkeljet elementare” – ka deklaruar ai gjatë fjalimit në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, më 14.10.2024.
Ky deputet shtroi edhe disa pyetje lidhur me këtë çështje.
“A po e bën kjo Qeveri me të vërtetë këtë detyrë jetike? Përse po dëgjojmë ende raportime për mungesë të standardeve në ushqim dhe për tenderime të dyshimta? A po përdorin kompani të specializuara me përvojë ndërkombëtare dhe të licencuara sipas standardeve?” – pyeti Quni.
Ai tha se Ligji për Prokurimin Publik përcakton qartë se prokurimet e klasifikuara lejohen vetëm në raste të jashtëzakonshme, e në rrethanat ekzistuese ushqimi nuk përbën këso raste.
Kjo gjendje, sipas tij, prek jo vetëm sigurinë kombëtare por edhe shëndetin e ushtarakëve.
Ai i bëri thirrje Qeverisë që ta evitojë një qasje jo të duhur dhe jotransparente e cila “përfshin edhe pasoja strategjike lidhur me aftësinë për të mbrojtur sigurinë kombëtare dhe për të përmbushur detyrimet ndërkombëtare”.
Sikurse deputetët e tjerë opozitarë, edhe Quni tha se kjo gjendje ka sjellë ikjen e ushtarakëve nga FSK-ja.
Kjo seancë është thirrur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 43 nënshkrime të deputetëve, me një rezolutë të propozuar.
“Propozim Rezoluta është e thjeshtë: ‘Kuvendi i Republikës së Kosovës e obligon Qeverinë, Ministrinë e Mbrojtjes, që me urgjencë ta zgjidhë çështjen e furnizimit me ushqim si dhe me të gjitha pajisjet tjera të nevojshme’. Nesër Kuvendi do të obligojë Qeverinë të zgjidhë këtë çështje. Për sqarim: ky draft i Rezolutës mund të plotësohet nga deputetët në seancë”- ka njoftuar shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri në Facebook.
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, opozita ka hedhur akuza ndaj Qeverisë për keqmenaxhim e sabotim të FSK-së, por aty nuk kanë marrë pjesë deputetët e LVV-së.
Çështja e ushqimit të FSK-së është diskutuar që rreth dy javë nga partitë politike e opinioni publik.
Për këtë temë, Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar një raport të detajuar nga Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari dhe e ka ftuar në takim atë dhe Ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com këshilltari për media në presidencë, Bekim Kupina, më 12.10.2024.
Problemi me ushqimin e ushtarëve të Kosovës është krijuar pasi që kontrata për tenderin e fundit të shpallur për këtë qëllim ende nuk është nënshkruar dhe rrjedhimisht ende nuk ka filluar të zbatohet. Në anën tjetër, tenderit paraprak i ka skaduar kontrata më 30.09.2024.
Ushtarakët e Kosovës aktualisht janë duke u ushqyer nga kuzhinierët e Qendrës Studentore dhe nga ata të Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Opozita po akuzon Qeverinë që ushtarët po ushqehen me cilësi të dobët dhe sasi të vogël, ndërsa Ministria e Mbrojtjes ka mohuar këto akuza duke thënë se nuk ka mungesë të ushqimit dhe as të cilësisë, pasi të njëjtat produkte bazë përdoren në çdo shtëpi në Kosovë.
Sipas Ministrisë, e vetmja gjë me të cilën po përballen është mungesa në numër e stafit teknik, pasi kuzhinierët, “veçse i kemi angazhuar në këtë periudhë si rezultat i marrëveshjes me Qendrën Studentore si dhe Shërbimin Korrektues të Kosovës”.
“Ky problem do të zgjidhet sapo të mbyllet konkursi për pranimin e stafit profesional vetanak, konkurs ky që është hapur dhe çdo procedurë do të përfundoj në afat prej 45 ditësh”- ka thënë Ministria.
Disa media kanë raportuar se Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari i ka dërguar një letër Ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ku ndër të tjera ka shkruar se “do të ndërpriteshin aktivitetet e FSK-së, në rast se nuk do të gjendet ndonjë zgjidhje rreth këtij problemi”.
Lidhur me këtë letër, Ministria ka thënë se ajo është në vazhdën e komunikimit të zakonshëm ku raportohen vështirësitë të cilat hasen gjatë rrugës, dhe sigurisht se ndërtimi i kapaciteteve të vet-qëndrueshmërisë sa i përket ushqimit nuk është një proces pa vështirësi.
Ministria e Mbrojtjes që nga tetori i vitit 2023 e deri në shtator 2024 ka dhënë tre tenderë me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, kompanive të cilat ishin shpallur të pa përgjegjshme nga ana e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), e njohur ndryshe si Gjykata e Tenderëve.
Kontratat e dhëna janë në vlerë miliona euro, ndërsa janë për furnizim me ushqim për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Ndjekja e procedurës së negociuar për furnizimin me ushqim për ushtarët është kritikuar nga opozita, duke e cilësuar si të dyshimtë zgjedhjen e kësaj procedure, ndërsa Ministria ka thënë se nevoja ka qenë emergjente dhe për këtë arsye është zgjedhur kjo procedurë.