Qeveria e Kosovës ka ndarë 45 mijë euro për Forumin Ekonomik të Vjenës.
Kryeministri Albin Kurti tha se këto mjete nga buxheti i Zyrës së Kryeministrit kanë qëllim të promovimit të Republikës së Kosovës dhe “një perspektivë me premtuese për bashkëpunim ekonomik në arenën ndërkombëtare”.
Kështu tha Kurti në mbledhjen e qeverisë së Kosovës më 23.10.2024.
45 mijë euro Qeveria e Kosovës kishte ndarë për këtë forum edhe në shkurt të ketij viti, më saktësisht më 14.02.2024.
Kurti kishte theksuar se Kosova ka marrë pjesë rregullisht në konferencat e organizuara nga ky forum, dhe sipas tij, kjo mbështetje financiare është e nevojshme.
Kosova në majin e vitit 2023, për herë të parë ishte nikoqire e Forumit Ekonomik të Vienës në kuadër të të cilit u mbajt konferenca “Vienna Economic Talks” në Prishtinë.
Në konferencën e titulluar “Vienna Economic Talks – Prishtina Meeting 2023”, Kurti pati përmendur edhe marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtar, e cila do të përdorej për energjinë e rinovueshme.
Kryeministri Kurti kishte marrë pjesë më 21.04.2024 në ceremoninë hapëse të Forumit Ekonomik të Vjenës, që është duke u zhvilluar në kryeqytetin e Bullgarisë, Sofje.
“Marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal na ndihmojnë të gjithëve dhe çojnë në integrim më të madh ekonomik dhe prosperitet për rajonin tonë” – kishte thënë Kurti.
https://kallxo.com/lajm/promovimi-i-shtetit-qeveria-ndan-45-mije-euro-per-forumin-ekonomik-te-vjenes/