Në gjykimin për rastin e vrasjes në lokalin “BonVivant” që kishte ndodhur më 04.08.2023, rast për të cilin po akuzohet Andi Pajaziti, në cilësinë e dëshmitares është dëgjuar Arbnora Ramadani.
Ramadani është bashkëshortja e tani të ndjerit Kastriot Ramadani, e cila tregoi momente se si kishte kuptuar se bashkëshorti i saj është vrarë.
Sipas Ramadanit, rreth një javë para se të ndodhte rasti, bashkëshorti i saj kishte marrë një telefonatë nga dikush i lokalit “BonVivant” rast për të cilin dëshmitarja tha se ka ndikuar tek ai me ndryshim të sjelljes.
Sipas saj, telefonata ishte bërë pasi në lokalin e përmendur kishte ndodhur një dëm (referohet një incidenti para ngjarjes tragjike).
“Çka kam vënë re ndryshim, pak kohë para vrasjes që e ka marrë një telefonatë dhe e kam dëgjuar pa dashje, e kanë ftuar diçka rreth sigurimit të lokalit “BonVivant”, nuk e di prej kujt e ka marrë telefonatën, menjëherë ka ndryshuar sjelljen dhe e kam pyet, prapë më ka thanë që një ditë ma herët ky lokal është dëmtuar prej dikujt edhe për ata po më thërrasin, do me thanë me ju ndihmu, pastaj sjelljet kanë qenë ndryshe, edhe u bo komplet tjetër”- tha dëshmitarja.
Tutje dëshmitarja ka treguar se ishte shqetësuar nga veprimet e bashkëshortit të saj, me mendimin që mund t’i ndodhte diçka dhe kishte pasur kontakte të vazhdueshme me të.
Njëjtë sipas saj, kishte ndodhur edhe në natën kritike, kur Ramadani kishte vdekur. Arbnora Ramadani tregoi në gjykatë se kishte komunikuar me bashkëshortin e saj 30 minuta para se të ndodhte ngjarja, duke e pyetur se a vonohet shumë për t’u kthyer në shtëpi.
Dëshmitarja tregoi se i kishte dërguar një fotografi të vajzës së vogël, bashkëshortit të saj.
“I kam shkru Kastriotit, e kam edhe bisedën me të, ka qenë 25 minuta ose 30 para se me ndodhë ngjarja edhe e kam pyet a vonohesh, edhe më ka thanë ma së shumti gjysmë ore, pastaj ia kam dërguar fotografinë e vajzës së vogël e cila në atë kohë ka qenë 3 muajsh në Whatsapp”- tha dëshmitarja.
Sipas dëshmitares, nga lajmet që kishte lexuar në portale kishte kuptuar se dëmi që kishte ndodhur në “Bonvivant” (rasti për të cilin ishte telefonuar bashkëshorti i saj), ishte shkaktuar nga tashmë i akuzuari Andi Pajaziti.
“Deri në orën 4:25 në mëngjes, është zgjuar djali i vogël ka ardhë te unë në dhomë ku kam qenë me vajzën më ka kërku ujë edhe më ka thanë po du me flejt me ty, pastaj në dhomë te djalit i kam thanë shko flej te babi, se kam ditë a u kthy apo jo (Kastrioti), se ai deri në atë kohë nuk është vonuar asnjëherë, pastaj e kam marrë telefonin me thirrë Kastriotin edhe e kam pa një thirrje prej valluat të Kastriotit, dhe kam hi në Facebook edhe e kam lexu se 17 janë të lënduar dhe i vetmi që po lufton për jetë është Kastrioti aty e kam kuptuar përmes portaleve” – tha dëshmitarja.
Sipas dëshmitares, Ramadani kishte punuar si sigurim në klubin e natës “Duplex”.
Gjykimi është duke vazhduar edhe në sesionin e pasditës me dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë, para gjyqtarit të vetëm gjykues, Eroll Gashi, ndërsa aktakuza përfaqësohet nga prokurorja Nebahate Salihu.
Andi Pajziti, akuzohet për vrasje në gjendje të tronditjes së fortë mendore.
Si ishte kryer vrasja sipas Prokurorisë?
Sipas dosjes së prokurorisë, rasti kishte ndodhur rreth orës 23:17 ku paraprakisht ishin të ulur, i pandehuri i cili gjendet në arrati, Dukagjin Likaj bashkë më tani të ndjerin Kastriot Ramadani.
Dosja e përshkruan se Likaj ishte ai që e kishte ftuar të akuzuarin Pajaziti të ulet tek tavolina e tyre.
Pas tensionimit të situatës, sipas prokurorisë, ishte sigurimi Hisni Gecaj ai që ishte munduar ta qetësojë situatën, por nuk kishte arritur.
Dosja e prokurorisë përshkruan se i ndjeri Ramadani e kishte sulmuar me shishe dy herë në kokë të akuzuarin Pajaziti.
Pas këtij sulmi, i akuzuari e kishte nxjerrë armën nga brezi nga ana e djathtë, për shkak të tronditjes së fortë mendore, siç përshkruhet në aktakuzë “pa fajin e tij, pa menduar pa pasojat”, shtien më armë zjarri me ç’rast e godet tashmë të ndjerin Ramadani.
Sipas dosjes së prokurorisë, armën e kishte nxjerrë edhe Dukagjin Likaj, gjatë kësaj kohe ia kishte mbajtur dorën sigurimi Hisni Gecaj, kurse arma ishte e drejtuar në drejtim të të akuzuarit Pajaziti.
Dosja thotë se Dukagjin Likaj ka shtënë me armë në drejtim të pandehurit Pajaziti me ç’rast e “ka lënduar në bërrylin e dorës së majtë” dhe si të tilla bëjnë pjesë në lëndime të rënda trupore me pasoja të përhershme shëndetësore.
Vdekja e të ndjerit, sipas Prokurorisë ka ardhë si pasojë e gjakderdhjes së brendshme dhe të jashtme e cila ka quar në shok hemorragjik, si pasojë e predhës së armës së zjarrit.
Arma e cila është përdorur, sipas Prokurorisë është tip “Smith” e kalibrit 9mm.
Për të, i akuzuari përveç kryerjes së vrasjes, akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.
Pajaziti është duke qëndruar nën masën e paraburgimit tashmë 9 muaj. Pajazitit i ishte shqiptuar masa e paraburgimit më 7 gusht 2023, së bashku me të dyshuarit, Hisni Gecaj dhe Gëzim Zakuti.
Por Gecaj dhe Zakuti ishin liruar nga kjo masë pas kërkesës së Prokurorisë.
Sipas Prokurorisë në këtë rast ishin jetët edhe të personave të tjerë të cilët kishin pësuar lëndime trupore nga predhat e armëve të zjarrit.
Të plagosur të tjerë kishin mbetur edhe Andi Pajaziti e Hisni Gecaj ndërsa plagëve të armës së zjarrit nuk kishte arritur t’u mbijetonte Kastriot Ramadani, i cili kishte vdekur në QKUK.
13 persona sipas Prokurorisë ishin lënduar nga gotat e thyera të qelqit gjatë përpjekjes për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.
Të gjitha raportimet e tjera lidhur më këtë rast, mund t’i lexon në këtë LINK.