Si pjesë e aktivitetit “Race for the Cure” Prishtina në muajin për ndërgjegjësim ndaj kancerit të gjirit, të dielën më 06.10.2024 në kryeqytet do organizohet ecje, vrapim e aktivitete në mbështetje të grave që kanë kaluar përmes kësaj sëmundjeje.
Aktiviteti nis në Sheshin “Skënderbeu”, nga ora 12:00 deri në 15:00.
Komuna e Prishtinës nga muaji shtator ka nisur aktivitetet për ndërgjegjësim ndaj kësaj sëmundje përmes nënshkrimit të marrëveshjeve e ligjëratave me nxënës nëpër shkolla.
Kujdesi parësorë në kryeqytet ka tre aparate për mamografi: Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, QMF në ‘Veternik’ dhe ‘Dardani’ ku kontrollet kryhen falas nga ora 07:00-13:00.
Komuna e Prishtinës ka po ashtu marrëveshje me komunën e Fushë Kosovës dhe Obiliqit që gratë të kryejnë mamografi falas në kryeqytet pasi këto komuna nuk kanë aparate për mamografi.
Derisa, komuna ka marrëveshje edhe me Sindikatën e punëtorëve të Doganave të Kosovës dhe Policinë e Kosovës për realizimin e mamografive falas për gratë në këto dy institucione.
Drejtori i Shëndetësisë në komunë, Izet Sadiku përmes rrjetit Facebook ka bërë të ditur se gjatë vitit 2023 “fal ndërgjegjësimit përmes aktiviteteteve kanë kryer 90% më shumë mamografi apo 3283 mamografi, si dhe kanë subvencionuar 381 persona të diagnostifikuar me kancer gjiri”.
Edhe kryetari Përparim Rama shkroi se në muajin e ndërgjegjësimit në 2023 ka pas rritje 1000% të mamografive të kryera në kryeqytet.
“Fushata e vitit të kaluar ka pasur një ndikim të madh në rritjen e numrit të mamografive të realizuara në kryeqytet. Në gusht të vitit 2023 janë realizuar 80 mamografi, ndërsa në tetor numri ka arritur në 887, një rritje prej 1000%”- ka shkruar kryetari Përparim Rama.
Edhe këtë vit një autobus i linjës 4 në Trafikun Urban është ilustruar me ngjyrën rozë, si pjesë e fushatës vetëdijësuese për kancerin e gjirit.