RRUFE

Presidentja Osmani: Masat e padrejta të BE-së po dëmtojnë drejtpërdrejt popullin e Kosovës

“Masat e padrejta të BE-së kundër Kosovës po dëmtojnë drejtpërdrejt popullin e Kosovës” – ka thënë presidentja Vjosa Osmani në samitin e liderëve të procesit Bërdo-Brione në Tivat, të martën, më 08.10.2024.

Këto masa ajo ka thënë se janë përkundër faktit që Republika e Kosovës është 100 për qind e linjëzuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Europian.

Osmani ka shtuar se mbështetja e BE-së duhet të shkojë aty ku ka përkushtim të vërtetë për integrim europian, demokraci, sundim të ligjit dhe të drejta të njeriut, e jo te satelitët e presidentit rus, Vladimir Putin, që siç tha ajo “në mënyrë aktive punojnë drejt destabilizimit të rajonit”.

Presidentja Osmani po merr pjesë në takimin vjetor të krerëve të shteteve të rajonit në kuadër të Procesit të Bërdo Brione.

Takimi i Bërdo-Brione është ngjarje vjetore multilaterale në të cilën takohen presidentët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor si dhe të Sllovenisë dhe Kroacisë, dhe fokusi kryesor është procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian dhe anëtarësimin e rajonit në BE.

Bashkimi Evropian më 28.06.2023 ka aplikuar masa kufizuese ndaj Kosovës në lidhje me situatën e krijuar në veri pas zgjedhjeve për kryetarë të katër komunave në veri të vendit.

Kryetarët shqiptarë morën pushtetin në këto komuna në fund të muajit maj 2023, por qytetarët serbë të cilët i bojkotuan zgjedhjet lokale të prillit, nuk i pranuan rezultatet e tyre, dhe së voni pranuan ta shfrytëzojnë opsionin e mbledhjes së nënshkrimeve për t’i rrëzuar kryetarët shqiptarë.

Një udhëzim Administrativ u nxor në fillim të shtatorit 2023 nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal e Kosovës, me qëllim për t’i hapur rrugë shpalljes së zgjedhjeve lokale në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.


Postuar

nga