Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike në Shqipëri, Gazmend Bardhi është deklaruar për media, pas përfundimit të tensioneve para objektit të Kuvendit të Shqipërisë.
Bardhi tha se përjashtimi i deputetëve nuk parashikohet në rrethanat që njeh rregullorja e Kuvendit dhe sipas tij, ky veprim është “një regjim që nuk njeh ligj dhe Kushtetutë”.
“Besoj që cilido që di të lexojë shqip, përjashtimi i deputetëve të Kuvendit, nuk parashikohet në rrethanat që njeh rregullorja e Kuvendit. Pra njëlloj siç deputetët e burgosur të opozitës janë burgosur pa ligj, edhe deputetët e dënuar janë dënuar pa ligj sepse ky është një regjim që nuk njeh ligj dhe Kushtetutë”- tha Bardhi.
“Ne sot kemi një regjim, ku deputetët e opozitës nuk lejohet të ushtrojnë funksionin e tyre brenda sallës së Kuvendit me forca sigurie. Edi Rama po sjell si dele deputetët e tij që të përplasen me opozitën, ndërsa vetë fshihet në Surrel. Është tip që fshihet pas grave, pas deputetëve dhe njerëzve që i keqpërdor”- shtoi ai.
I pyetur nëse do të vazhdojnë me të njëjtën skemë dhe bojkote, Bardhi u shpreh se do vazhdojnë të veprojnë “si të ju teket”.
“Ne do të vazhdojmë, si është ajo shprehja ‘si të na teket’, pra rast pas rasti do të veprojmë në raport më këtë godinë, godinën e Kryeministrisë dhe çdo godinë ku është strehuar krimi i organizuar dhe qëllohet ndaj atyre që sulmojnë dhe luftojnë krimin e organizuar”- ka theksuar Bardhi.
Paraprakisht opozitarët janë përplasur edhe me deputetët e Partisë Socialiste por edhe me gardën, me ç’rast këta të fundit nuk i kanë lejuar që të futen brenda në objektin e Kuvendit, ndërkohë që seanca po vijon punimet.
Më pas, sekretari i PD-së, Flamur Noka bashkë me deputetët opozitarë u kanë vënë flakën disa manekinëve të veshur si të burgosur të cilëve u kanë printuar në fotografi fytyrat e Edi Ramës, vëllait të kryeministrit, Olsi Rama, Fatmir Xhafaj dhe të vëllait të tij Geron Xhafaj.
Sekretariati i Etikës përjashtoi Flamur Nokën, Gazment Bardhin dhe Bledjon Nallbatin me 60 ditë nga punimet e Kuvendit, ndërsa Edi Palokën me 10 ditë. Ndërkohë 20 deputetët e tjerë u përjashtuan me 40 ditë.
Vendimi erdhi pas kërkesës së grupit parlamentar të Partisë Socialiste për marrjen e masës disiplinore për 24 deputetë të Partisë Demokratike, pas kaosit të shkaktuar në Kuvend ditën e hënë, dhe djegien e karrigeve.
https://kallxo.com/lajm/shqiperi-digjen-manekinet-me-fotografite-e-edi-rames-dhe-te-tjereve-foto/