RRUFE

Përbërja e gjyqtarëve që morën vendimet për Shaban Gogajn lidhur me vrasjen e Agonis Tetajt në vitin 2018

Gjykata e Apelit ia ka zbutur dënimin me burgim të akuzuarit Shaban Gogaj lidhur me rastin e vrasjes së Agonis Tetajt në vitin 2018.

Ky vendim është marrë nga kolegji i gjykatës së Apelit me në krye, Kadrije Goga- Lubishtani si kryetare e kolegjit, Hashim Çollaku dhe Valbona Musliu- Selimaj – anëtarë është marrë me datë 08.10.2024.

Gogaj nga Gjykata Themelore, më 15.03.2024 ishte dënuar për herë të dytë me 7 vite e 6 muaj burgim si dënim unik për vrasje nga pakujdesia dhe armëmbajtje pa leje. Ky vendim i Gjykatës së Pejës ishte marrë nga trupi gjykues në përbërje prej Violeta Husaj- Rugova, Shaqë Curri dhe Sami Sharragjiu.

Rasti kishte ardhë për herë të dytë në instancën e Apelit, por kësaj radhe fati i kësaj lëndë u vendos nga po kjo Gjykatë duke ndryshuar vendimin e Themelores dhe duke zbutur dënimin ndaj Gogajt për një vit më pak.

Apeli ka vendosur që për vrasje nga pakujdesia dhe për armëmbajtje pa leje Gogajt t’i shqiptoj dënim unik prej 6 vite e 6 muaj.

Herën e parë më 14.10.2022 Goga ishte dënuar për vrasje nga pakujdesia pasi ishte rikualifikuar vepra penale nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia dhe armëmbajtje pa leje me dënim unik prej 7 vite e gjashtë muaj. Por që Apeli rastin e kishte kthyer në rigjykim.

Sipas aktakuzës se Prokurorisë, në vitin 2018, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj mori një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.

Tutje, aktakuza sqaron se Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të rafteve të dyqanit përballë tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të u larguan edhe dy dëshmitarët e rastit A. H. dhe F. Z.

Sipas dosjes së Prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj, nga karriga e anës së majtë të banakut kaloi në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxori revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendosi karikatorin dhe e mori në shenjë Agonis Tetajn dhe e qëlloi me plumb në kokë, duke e vrarë.

Viktima ishte punëtor në biznesin e të akuzuarit.

Raportimet e KALLXO lidhur me rastin i gjeni në LINK