Ministria Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL) e ka konsideruar të jashtëligjshëm vendimin e partive opozitare në kryeqyetet PDK-LVV për shfuqizim të një neni (i votuar në 2023) nga rregullorja për mbeturina që mundësonte angazhimin e kompanive private në rast se ajo publike ’Pastrimi’ nuk arrin të përmbushë obligimin për mbledhje të mbeturinave.
Në seancën e parë të këtij sesioni më 13.09.2024 shefi i asamblistëve të PDK-së, Leutrim Retkoceri dha propozim të shfuqizohej ky nen nën arysetim se kishte ‘kaluar nevojën emergjente’ dhe mund të keqpërdorej, propozim ky që u votua edhe nga LVV, kjo e fundit kishte shprehur rezerva edhe në vitin 2023 kur ky nen iu shtua rregullores.
MAPL këtë formë shfuqizimi e ka kosideruar të kundërligjshme dhe ka kërkuar nga komuna të rishqyrtojë aktin dhe ta harmonizojë me legjislacionin në fuqi.
“MAPL konstaton se miratimi i vendimit është në kundërshtim me rregulloren nr 02/2021 për Procedurën e Hartimit dhe Publikimin e Akteve të Komunës neni 12 “shfuqizimi dhe plotësim ndyshimi i akteve normative” i cili përcakton se “Plotësim ndryshimi i një akti normativ të komunës bëhet nga akti i njëjtë dhe duke respektuar procedurat ligjore” që në rastin konkret është vepruar e kundërta ku rregullorja për menaxhim të mbeturinave nr 01-030/01-227581/23 të datës 01.12.2018, neni 16 pika 3 është plotësuar- ndryshuar me vendim”- thuhet në opinionin e MAPL-së.
Bekim Brestovci, drejtor i shërbimeve publike në komunë ka reaguar për këtë opinion duke u shprehur se askush nuk mund të ndalë punët për të mirën e qytetit.
“Përpjekjet nga asamblistë të PDK-së të mbështetur nga asambleistë të VV-së për të bllokuar punën tonë në menaxhimin e mbeturinave dhe pastrimin e qytetit, dua t’i siguroj qytetarët se kanë dështuar. Përpjekjet për të penguar zhvillimin e projekteve të rëndësishme që synojnë përmirësimin e cilësisë së jetës në Prishtinë nuk do të kenë sukses”- ka shkruar Brestovci në rrejtin social Facebook
Diskutimet në asamblenë e komunës për rregulloren
Me 22 vota për në mbledhjen e rregullt më 13.09.2024 partitë opozitare PDK dhe LVV në kryeqytet shfuqizuan një nen në rregulloren për menaxhim të mbeturinave që mundësonte angazhim të operatorit privat në raste të emergjencave kur ajo publike nuk është në gjendje të kryejë obligimin.
Ishte Leutrim Retkoceri nga PDK që dha këtë propozim me arsyetimin se KfW dhe qeveria gjermane do ndanin 24 milionë euro për menaxhim të mbeturinave në rajon të Prishtinës.
“Para pak ditëve, përfaqësues të lartë të KFW-së kanë konfirmaur se qeveria gjermane ka aprovuar 24 milionë euro për menaxhimin e mbeturinave në rajonin e Prishtinës. Ky është një super lajm për Prishtinën. Për të vazhduar implementimin e këtij financimi kaq me rëndësi, duhet të ndihmojmë këtë kompani që gëzon 77% të aksioneve, që të ketë stabilitet financiar dhe të sigurojë një marrëveshje të favorshme me Komunën deri në muajin tetor”- u shpreh ai.
Sipas Retkocerit, ky nen duhet shfuqizuar pasi ka ‘kaluar nevojën emergjente’.
“Kërkesa e kompanisë është që të bëhet shfuqizimi i paragrafit 3 i nenit 16 i rregullores për menaxhimin e mbeturinave i viti 2023. Ky paragraf ka kaluar nevojën emergjente për angazhimin e operatorëve tjerë, ndërsa mos ndryshimi i këtij paragrafi do mund të sillte edhe keqpërdorime tjera në të ardhmen në dëm të operatorit publik”- ishte shprehur Retkoceri.
Ai ishte shprehur se komuna po rrezikon të humb grantin për kontratën me sektorin privat.
“Ky nen e pamundëson të beni keqpërdorime të tipit qysh keni bërë ku keni hap kontratë të negociuar me persona të afërm të LDK-së. Për 1 milion euro doni me humb një grant prej 24 milionë euro”- kishte thënë Retkoceri.
Derisa, shefi i asamblisteve të LVV-së, Gëzim Sveçla theksoi se kjo parti ka pasur rezerva për këtë nen edhe kur ishte votuan në vitin 2023.
“Qysh kur është votuar kjo rregullore LVV i ka shprehur rezervat e veta për nenin që o diskutohet prandaj ne e përkrahim pikën për të shfuziquar nga rregullorja këtë nen”.
Në anën tjetër Endrit Zabërgja nga NISMA e quajti bllokadë, tentimin për të shfuqizuar këtë nen të rregullores, të cilin PDK filimisht gjatë kohës sa ishte në koalicion qeverisës e kishte votuar.
“Jemi dëshmitarë të një ndryshimi të madh edhe ideologjik edhe konceptual të dy partive politike diametralisht të kundërta në qëndrime e veprime, ajo që po tentohet të ndodh është një bllokadë në pastrim të qytetit”- kishte thënë ai.
Kurse, kryetari Përparim Rama u kishte bërë lutje asamblistëve që të mendonin përtej partive politike lidhur me këtë nen.
“Dëshiroj t`i bëjë lutje secilit asambleist me pak moral e përgjegjësi që kanë marr këtë detyre për t`i shërbyer qytetarëve të kryeqytetit të reflektojnë dhe mendojnë pse kërkohet kjo pikë të hiqet prej rregullores. Ai që e voton këtë pikë, voton ‘për Prishtinë të ndotur, bllokim të pastrimit, për shantazh, e jo për një kryeqytet të transformuar që tashmë po e shohim”.
“Mendoni individualisht përtej partive politike, përtej shefave tuaj këtu që ju shtyjnë të votoni gjëra që s’kanë asnjë sens”- ishte shprehur Rama në asamble.
Lidhur me KFW-në Rama ishte shprehur se janë në komunikim të vazhdueshëm dhe për këtë arsye “komuna nuk lidh kontrata të gjata 3, 4, 10 vjeçare, por vetëm me afat të shkurtë”.
Nënkryetari i komunës Alban Zogaj po ashtu dha sqarim pse ishte shtuar ky nen në rregullore duke theksuar se, gjenjda në qytet kishte ndryshuar pasi angazhuan edhe sektorin privat.
“Po e citoj paragrafin e nenit: “Komuna e Prishtinës mund të angazhojë kompani tjetër për t’i ndihmuar kompanisë regjionale ‘Pastrimi’, në rast të vështirësive gjatë operimit, çka ka këtu problematike kolegë të nderum?”- kishte pyetur Zogaj.
“Gjendja në kryeqytet ka ndryshuar në muajt e fundit për arsye se kemi angazhu kompani private pikërsht t’i ndihmojë kompanisë publike sepse nuk është në gjendje të pastrojë qytetin. Tash janë të angazhuara dy kompani dhe po i ndihmojnë njëra tjetrës, i kanë nda regjionet, zonat”- ishte shprehur Zogaj.
Tutje, nënkryetari kishte shtuar se me shqufizim të këtij neni, i jepet monopol vetëm ‘Pastrimit’ të merret me mbeturina, e që sipas tij, nuk do ia arrij me 5 kamionë që i ka në dispozicion.
Zogaj kishte deklaruar se “Krejt kjo tentaivë është për t’i bllokuar situatat e jo për zhbllokim”.
“Nuk është në gjendje për fat të keq ajo kompani publike të pastrojë qytetin sepse i ka vetëm 5 kamionë funksional në javët e fundit, ka mungesë të resurseve dhe ka probleme të menaxhimit”- ishte shprehur nënkryetari.
Bekim Brestovci, drejtori i shërbimeve publike kishte deklaruar se ky nen krijon mundësi për Prishtinë më të pastër.
“Po befasohem me propozuesin dhe asambleistët që po i japin mbështetje shfuqizimit të këtij paragrafi, sepse është i vetmi që krijon mundësi për Prishtinën e pastër. Ajo që po tentohet sot të bëhet është kthim, jo vetëm në gjendjen që kemi pas, por ndoshta edhe thellim të problemit sepse po bëjmë një veprim përmes së sicilit duam t’ia kthejmë monopolin një ndërmarrje publike e cila as për së afërmi, edhe për shumë vite nuk do ketë mundësi të ofrojë shërbimin që pret qytetari”- kishte thënë Brestovci.
‘Pastrimi’ me borgje, menaxhim jo adekuat e mungesë pajisjesh

Kompania Rajonale ‘Pastrimi’ në vazhdimësi është përballur me borgje, mungesë të makinerisë e menaxhim jo adekuat, gjë që është reflektuar edhe në gjendjen e komunave që mbulon për mirëmbajtje.
Kompania në baza vjetore subvencionohet miliona euro nga Prishtina, por edhe komunat tjera në rajon të Prishtinës që i ka në përgjegjësi.
Gjatë viteve të fundit, kompania kishte lënë mbeturinat pa grubulluar pasi nuk i kishte paguar borgjin Kompanisë për Menaxhimin e Deponive, kjo e fundit ia kishte ndaluar qasjen në deponinë e Mirashit në Obiliq për zbrazje të kamionëve.
Edhe në këtë rast, ishin komunat ato që ndanë buxhet në formë subvencioni për kompaninë në mënyrë që të vazhdonte aktivitetin.
Komuna e Prishtinës gjatë këtij viti ka shtuar edhe numrin e kontejnerëve nëpër zona të qytetit, derisa gjatë vitit pritet të bëjë edhe reformë tutje për ‘smart city’ ku do vendosen sensorë nëpër kontejnerë si formë lajmëruese kur mbushen.
Veprimtaria e kompanise ‘Pastrimi’ përfshinë Regjionin e Prishtinës me komunat: Prishtinë, Fushë Kosovë, Obiliq, Lipjan, Podujevë, Drenas dhe Graçanicë.
https://kallxo.com/lajm/kompania-pastrimi-serish-nuk-do-te-mbledhe-mbeturinat-shkak-mbyllja-e-deponise-ku-zbrazen-kamionet/