Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në Gjermani më 01.10.2024, ka takuar kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme në Bundestagun gjerman, Michael Roth.
Siç njofton Presidenca, në takim është diskutuar mbi zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në Kosovë e më gjerë.
Një pjesë e diskutimit thuhet se u fokusua edhe në procesin e dialogut me Serbinë.
Osmani ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Deputetit Roth dhe në përgjithësi të Bundestagut gjerman për aspiratat e Kosovës për t’iu bashkuar organizatave ndërkombëtare dhe theksoi rëndësinë e rolit të shtetit gjerman në këtë proces.
“Gjermania ka qenë një aleate tradicionale e popullit të Kosovës dhe ne e vlerësojmë shumë këtë mbështetje në përpjekjet tona për ta forcuar praninë dhe partneritetin tonë ndërkombëtar”- ka thënë Osmani.
Osmani dhe Roth, ndër të tjera diskutuan edhe për Procesin e Berlinit, me ç’rast Osmani ka ritheksuar mbështetjen e plotë për marrëveshjet e dala nga ky proces.
Para takimit me Roth, presidentja Osmani, është takuar me ministren e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock.
E para e vendit tha se gjatë këtij takimi u rikonfirmua partneriteti i fortë ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.
“Gjermania mbetet aleate kyçe për rrugëtimin tonë euro-atlantik si dhe për çështjet politike, të sigurisë dhe ekonomike, ndaj puna jonë e përbashkët është rruga që shpie drejt sukseseve”- ka shkruar Osmani në Facebook më 01.10.2024.
Osmani ka udhëtuar për në Gjermani ku pritet të takohet me presidentin e Gjermanisë, Frank Walter- Steinmeier.