Odat e profesionistëve shëndetësorë janë distancuar publikisht nga drafti i Projektligjit të ri për Shëndetësi, të cilin thonë se e kanë pranuar nga Ministria e Shëndetësisë të martën, më 01.10.2024.
Sipas tyre, ky draft i Projektligjit është në kundërshtim me parimet kushtetuese, Ligjin për Odat e Profesionistëve Shëndetësorë, Ligjin për Zyrtarë Publikë, Ligjin e Punës, Ligjin për Produkte dhe Pajisje Medicinale, Ligjin për Prokurimin Publik.
Ata janë shprehur të indinjuar që nuk janë ftuar e konsultuar fare për këtë draft të Projektligjit, ndryshe nga herat e kaluara kur kanë qenë anëtarë të grupeve punuese për plotësim/ndryshim të Ligjit për Shëndetësi, i cili veçse është në fuqi.
Sipas tyre, ky draft-ligj ka tendencë të hapur për centralizim të kompetencave aktuale.
“Një tendencë e tillë centralizuese është në kundërshtim të plotë me të gjitha standardet evropiane, dhe si e tillë është e shprehur vetëm në shtetet si Bjellorusia, Hungaria, Turqia dhe Sllovakia” – thuhet në komunikatë.
Ky draft-ligj, sipas odave, është në kundërshtim edhe me programin e Qeverisë, në të cilin, siç thonë ato, parashihet rritja e nivelit të bashkëveprimit mes Qeverisë me odat e profesionistëve shëndetësorë.
“Odat e Profesionistëve Shëndetësorë kanë formuar grup punues për të analizuar përmbajtjen dhe për të dalë me rekomandime dhe komente konkrete për përmbajtjen e këtij draft ligji” – përfundon komunikata.
Projektligji për Shëndetësi është paraparë që të jetë i gatshëm më 20.06.2024 sipas Programit Legjislativ për vitin 2024.
Ligji aktual për Shëndetësi është miratuar në vitin 2013 dhe është plotësuar e ndryshuar dy herë më 2022 dhe 2023.