RRUFE

Një vit luftë: Rripi i Gazës i kthyer në gërmadhë të madhe

Rripi Gazës është kthyer në një gërmadhë të madhe.

Ka kodra rrënojash, ku janë bërë lëmsh blloqe banesash, dhe pishina plehrash e kanalizimesh që po përhapin sëmundje, shkruan agjencia amerikan e lajmeve, AP, teksa i kthehet gjendjes së Rripit të Gazës fiks një vit pas nisjes së luftës së re ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve.

Rrugët e qytetit janë kthyer në kanione betoni dhe në shumë vende, ajri mbushet me duhmën e kufomave të gjetura nëpër rrënoja.

Ofensiva tashmë njëvjeçare e Izraelit kundër “Hamasit”, një prej më shkatërrimtareve dhe më vdekjeprurësve në historinë e fundit, ka vrarë më shumë se 41 mijë persona, me gjysmën e tyre gra dhe fëmijë, tregojnë të dhënat e autoriteteve vendase të shëndetësisë. Derisa luftës nuk po i shihet fundi as në horizont, është e zorshme të thuhet se kur – ose nëse ndonjëherë – do të rindërtohet Rripi i Gazës.

Madje edhe pas heshtjes eventuale të armëve, qindra mija persona janë strukur në tenda najloni dhe mund të mbesin aty për vite me radhë. Ekspertët thonë se rindërtimi mund të marrë vite e dekada.

“Lufta është shkatërrim dhe mjerim. Do t’i bënte edhe gurët të qanin”, ka thënë Shifaa Hejoo, një amvise 60 vjeçe në një tendë në një fushë kur dikur qëndronte në këmbë shtëpia e saj. “Kushdo që e sheh Gazën, do të shkretet në vaj”.

Izraeli fajëson “Hamasin” për shkatërrimin. Sulmi i grupit militant palestinez më 7 tetor 2023 ndaj Izraelit – ku mbetën të vdekur 1.200 persona dhe u morën peng 250 të tjerë – shkaktoi luftën. Izraeli thotë se “Hamasi” kishte ndërtuar shumicën e infrastrukturës së tij ushtarake në zona me dendësi të madhe banorësh, ku janë zhvilluar betejat më të ashpra. Të dhënat e autoriteteve palestineze të shëndetësisë tregojnë se më shumë se 42 mijë palestinezë janë vrarë prej sulmeve izraelite.

Luftimet shkatërruan pothuajse tërësisht çerekun e strukturave të Gazës ose i dëmtuan ashpër, thuhet në një vlerësim të OKB-së të publikuar në shtator, bazuar në pamje satelitore. Aty bëhet e ditur se 66 për qind e strukturave, përfshirë edhe më shumë se 227 mijë njësi banimi, kanë pësuar së paku dëme.

Kur forcat tokësore izraelite u futën në qytetin jugor Khan Younis në janar, Shifaa Hejjo dhe familja e saj u larguan nga shtëpia e tyre katërkatëshe vetëm me rrobat që kishin veshur. Ata kaluan muaj të tërë në kampe të ndryshme tendash përpara se ajo të vendoste të kthehej – dhe me të parë gjendjen, u shkreh në vaj.

E gjithë lagjja e saj ishte shkatërruar, shtëpia e saj e mëparshme dhe rrugët çonin aty ishin kthyer në një det rrënojash.

“Nuk e njoha shtëpinë time”, tha ajo. “Unë nuk mund të them se ku ishin shtëpitë e njerëzve”.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com


Postuar

,

nga