RRUFE

Në lidhje me pronën që hodhën dyshime LVV-ja, KALLXO.com ka publikuar hulumtim para një viti

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje Fitore Pacolli- Dalipi dhe Milazim Salijaj, kanë prezantuar të premten më 11.10.2024 dy hulumtime të Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim në lidhje me dy prona.

Njëri prej hulumtimeve që ata prezantuan se kanë realizuar ishte për pronën e Radio Televizionit të Prishtinës. Por, për të njëjtën çështje, KALLXO.com para një viti e kishte publikuar një hulumtim, më saktësisht më 20.10.2023.

Të dy deputetët thanë se hulumtimet e tyre për tjetërsimet e pronave do t’i dërgojnë në Prokurorinë e Shtetit menjëherë pas konferencës.

Për hulumtimin për 3.92 hektarët të Radiotelevizionit të Prishtinës, deputetët thanë se kanë marr kërkesën për trajtim nga vetë qytetarët.

“Ky tjetërsim i pronës publike është bërë në mënyrë të kundërligjshme sipas aktgjykimit me numër 56/76 të datës 28.04.1976 nga Gjykata e Qarkut të Prizrenit. Dyshimet janë se ky aktgykim mund të jetë i falsifikuar. Ne si deputetë e kemi kërkuar këtë aktgjykim origjinal në Gjykatën Themelore të Prizrenit, në Arkivin Shtetëror dhe askund nuk e kemi gjet një rast të tillë”- tha Pacolli-Dalipi.

Ajo tha se nuk kanë gjetur informata që rasti është kryer në mënyrë ligjore.

Deputeti Milazim Salijaj tha se në lidhje me këtë rast kanë vizituar Zyrën Kadastrale në Prizren, Gjykatën Themelore në Prizren, Agjencinë Kadastrale të Kosovës, Drejtorinë për Kadastër të Kosovës, Arkivën e Kosovës, Autoritetin e Arkivave të Kosovës, por askund nuk kanë mundur ta gjejnë aktgjykimin origjinal.

“Gjetjet e raportit thonë për një aktgjykim të paramenduar mirë dhe fare në fund na del i falsifikuar”- tha ai duke shtuar se vlera e pronës është 12 milionë euro, një aktgjykim i para 16 viteve.

Gazetari i KALLXO.com Behar Mustafa kishte hulumtuar në lidhje me këtë rast. Hulumtimi se si u ndërruan prona në “Veternik” të Prishtinës me një kodër të vendit të quajtur Cvilen në Prizren u publikua më 20.10.2023.

Vendimi për ndryshimin e këtyre pronave pretendohet të jetë i Gjykatës së Qarkut në Prizren i datës 28 prill të vitit 1976, e i nënshkruar nga gjyqtari i atëhershëm Zhivka Statkiq. Por ky dokument ka dalë në sipërfaqe vetëm në vitin 2021.

Sipas këtij dokumenti, prona në zonën e kadastrave në Çagllavicë, me sipërfaqe prej 3 hektarë e 92 ari në vendin e quajtur “Hardhitë”, është ndërruar me dy prona në Prizren, njëra me sipërfaqe 80.4 ari dhe tjetra në sipërfaqe 2 hektarë e 56 ari, në vendin e quajtur Cvilen në zonën kadastrale në Leskovec të Prizrenit.

Hulumtuesit e emisionit “Kallxo Përnime” kishin kërkuar dosjen e kësaj lënde në Gjykatën e Prizrenit, Kadastrën e Prizrenit e Arkivin e Kosovës, por lënda nuk ishte gjetur askund.

Në Kadastrën e Prizrenit lënda nuk ishte gjetur pasi Kadastri ishte djegur në vitin 2007, e në Gjykatën e Prizrenit thonë se këto lëndë janë dërguar në Arkivin e Kosovës, e në Arkiv thonë se janë në renovim dhe nuk mund ta gjejnë lëndën tash por kanë treguar një regjistër se si ishte dërguar kjo lëndë nga Gjykata e Prizrenit e ku numri i kësaj lënde figuronte i zbrazët dhe ishte dërguar me një aneks shtesë.

Zyra e Kadastrës në Komunën e Prizrenit kishte kthyer përgjigje duke treguar se prona në Prizren ka kaluar në emër të Qeverisë së Kosovës por që nuk ka dokumentacion shkaku i djegies së Kadastrës së Prizrenit në vitin 2007.

“Në bazë të evidencës qe posedojmë ne si zyre kadastrale komunale me poshtë mund ti gjeni të dhënat e ngastrave kadastrale, bazuar ne kërkesën tuaj. Ngastrat kadastrale, ZK Leskovec, ka qenë në emër të Radio-Televizija “Prishtin” CVILJEN. me 1/1, në programet BORMEN KCID dhe RDPP (dokumentacioni nuk ekziston shkaku i djegies ne vitin 2007). Me Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës Nr.03/09.dt.21.01.2018, bëhet ndarja-copëtimi i ngastrës kadastrale. Ne bazë të Vendimit Nr.03/09.dt.21.01.2018, ngastrat kadastrale ZK Leskovec, kalojnë nga Drush.Svoj.Srbija Šumsko Gazdinstvo-Prizren me 1/1, te Qeverisë së Republikës së Kosovës”- thuhet në përgjigjen e Komunës së Prizrenit.

Në Gjykatën e Prizrenit kanë thënë se kjo lëndë dhe lëndët e tjera të ish-Gjykatës së Qarkut janë dërguar në Arkivin e Kosovës.

“Ne pas kërkesës suaj ju kemi drejtuar arkivit të Gjykatës për ta kërkuar këtë lëndë dhe nga arkiva e Gjykatës jemi njoftuar se të gjitha lëndët e divizionit civil të cilat i kanë takuar gjykatës së qarkut deri në vitin 1999 janë dërguar në Agjencinë shtetërore të arkivave të Kosovës”- kishte theksuar Marcel Lekaj, zëdhënës i Gjykatës së Prizrenit.

Ruzhdi Panxha nga Arkivi kishte thënë se janë në renovim dhe nuk mund ta gjejnë lëndën tash, por ka treguar një regjistër se si ishte dërguar kjo lëndë nga Gjykata e Prizrenit e ku numri i kësaj lënde figuronte i zbrazët dhe ishte dërguar me një aneks shtesë.

Kërkesa e parë për regjistrimin e këtij transaksioni kishte ndodhur në vitin 2021.

Në Komunën e Prishtinës ishte paraqitur Sllavica Mikiq, e cila kishte kërkuar që prona në Prizren të ndërrohet me pronën në Prishtinë dhe në regjistrat kadastralë prona të regjistrohet në emër të saj.
Komuna e Prishtinës dy herë e kishte refuzuar regjistrimin e këtij ndryshimi duke u thirrur në bazën e një vendimi i cili ishte nxjerrë para 46 viteve e i cili nuk gjendej në arkivin komunal të Prishtinës.
Donat Lushaku, drejtor i Drejtorisë së Kadastrës në Komunën e Prishtinës, kishte treguar versionin e Komunës se qysh u regjistrua prona e shtetit në emrin të Slavica Mikiqit.

“Kjo pronë ka një historik, ka qenë në emër të Radio Televizionit të Prishtinës ndërsa në vitin 2022 Agjencia Kadastrale e Kosovës ka bërë bartjen në emër të një serbeje e quajtur Sllavica Mikiq. Ne në dy raste e kemi refuzuar regjistrimin e saj sepse kemi konsideruar se aktgjykimi i vitit 1976 ku flitet për një pronë e këmbyer në Prizren nuk ka pasur kompetencë territoriale dhe lëndore të ekzekutimit prandaj kjo ka qenë arsyeja e parë ndërsa arsyeja e dytë që lënda nuk është gjendur në arkivin ndërkomunal të Prishtinës”- thekson Lushaku.

Në vitin 2022 prona kishte kaluar nga pronësia e Radio Televizionit të Prishtinës në emër të Sllavica Mikiqit, me vendimin e Agjencisë Kadastrale të Kosovës e cila e kishte përdorur autoritetin si shkallë e dytë edhe pas refuzimit nga Komuna e Prishtinës Sllavica Mikiq u bë pronare e pronës.

Në Agjencinë Kadastrale njeriu që ka vendosur nënshkrimin është Bashkim Shaqiri.

Sllavica Mikiq në këtë procedurë përfaqësohet nga avokati Venhar Hana.

Avokati Hana nuk kishte pranuar të flasë para kamerës, sikur edhe klientja e tij, por ka kthyer një përgjigje me shkrim.

“Sipas Aktgjykimit të plotfuqishëm të datës 28.04.1976, theksohet se palët kanë shprehur pajtimin e përbashkët që kontesti gjyqësor të mbahet në Gjykatën e Prizrenit, si kompetencë territoriale e zgjedhur e tyre. Nga kjo, me rëndësi të veçantë është të theksohet se padyshim se lënda në fjalë është dorëzuar, nga Gjykata e Prizrenit në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, në një vit të caktuar më vonë. Ky konstatim poashtu vërteton se lënda ruhet, së bashku me dokumentacionin përcjellës në atë dosje”- thuhej në përgjigjen e avokatit Hana.

Në një pjesë prej 1 hektar e 20 ari familja Dupoleva i ka të ndërtuara 5 shtëpi.

Nga kjo familje kanë treguar se kanë 10 vite në gjykatë ku kërkojnë regjistrimin e asaj prone në emrin e tyre.

Familja Dupoleva pronën e ka në shfrytëzim të përhershëm nga ish-Radio Televizioni i Prishtinës.

HULUMTIMI I PLOTË:

https://kallxo.com/kallxopernime/hulumtim-dyshimet-se-si-u-nderruan-tokat-e-prishtines-me-kodrat-e-prizrenit/


Postuar

nga