Këshilli Gjyqësor i Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot më 31.10.2024, ka miratuar kërkesën e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për aprovim të 18 pozitave për zyrtarë shtesë në përiudhë të caktuar, përkatësisht përgjatë dy palë zgjedhjeve të ardhshme lokale dhe qendrore.
Propozimin e kësaj pike të rendit të ditës e bëri drejtori i përgjithshëm i Sekretariatit të KGJK-së, Shkëlzen Maliqi.
Ai tregoi se lidhur me këtë çështje në adresë të KGJK-së ka ardhur një kërkesë e drejtorit të PZAP-së.
Në këtë letër, Maliqi tregoi se ndër të tjera, është përmendur se përgjatë kohës së zgjedhjeve të përgjithshme dhe komunale gjithmonë është angazhuar staf shtesë me qëllim të kryerjes së punëve për shkak të numrit të vogël të stafit të PZAP-së. Ai përmendi se zyrtarët në fjalë do të angazhohen për periudhën 3-4 mujore.
Maliqi më tej tha se lejimi i angazhimit të tyre do të mund të bëhet me fonde të sigurara nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve ose me ndihmën e KGJK-së.
I njëjti përmendi se lidhur me çështjen e buxhetit, PZAP i është drejtuar ekzekutivit.
“Në Ministrinë e Financave kanë paraqitur kërkesë për buxhet por qeveria nuk ka lejuar buxhet shtesë” – tha drejtori i përgjithshëm i Sekretariatit të KGJK-së, Shkëlzen Maliqi.
Lidhur me idenë për ndihmë nga ana e Këshillit për angazhimin e këtyre zyrtarëve shtesë pati kontestime nga ana e anëtarit të KGJK-së, Avni Mehmeti.
“Këshilli ka vështërsi financiare për veten sepse ndër vite nuk janë plotësu kërkesat tona sa i përket buxhetit, paraprakisht duhet me ditë [PZAP] a kanë mjete buxhetore duke marrë parasysh se ligji është i qartë, janë organizatë e veçantë buxhetore” – tha anëtari i KGJK-së.
Por kryesuesi i KGJK-së Albert Zogaj tha se përkundër vështërsive megjithatë pozitat duhet të aprovohen.
“Në hallkë e papërgjegjësisë dikush duhet me u tregu i përgjegjshëm në këtë rast ne, ndaj mendoj se pavarësisht sfidave duhet me u leju” – u shpreh kryesuesi i KGJK-së Albert Zogaj.
I njëjti shtoi se nuk do të ishte keq që publiku të kuptonte për ato që ai i quajti ‘situata dramatike që përsëriten’.
“Edhe s’kishte qenë keq me falimentu edhe PZAP edhe Këshilli që m`u kuptu publikisht që kemi të bëjmë me situata dramaktike që përsëriten. Nuk mund t’i përballoj PZAP-ja me një trup kaq të vogël ankesat sepse kanë afat nëse nuk e zgjerojmë stafin dëmtohet rëndë procesi zgjedhor” – u shpreh kryesuesi Albert Zogaj.
Miratimi i këtij propozimi u bë me një votë kundër të anëtarit Avni Mehmeti.
Lajmet paraprake lidhur me këtë mbledhje mund t’i lexoni duke klikuar këtu.