Ministria Mbrojtjes përmes një reagimi në Facebook ka thënë se flota e dronëve vëzhgues dhe sulmues është shtuar pas blerjes së parë dhe po vazhdon të shtohet.
Ky reagim erdhi sipas Ministrisë pas disa lajmeve që sipas MM-së janë të pavërteta, e të cilat përhapen nëpër studio televizive.
“Teksa lajmet e pavërteta përhapen nëpër studio televizive pa kuptuar peshën e fjalës në sigurinë e vendit, informojmë qytetarët se të pavërteta janë dhe pretendimet se ka humbur ndonjëherë ndonjë dron. Përkundrazi, flota e dronëve vëzhgues dhe sulmues është shtuar pas blerjes së parë dhe po vazhdon të shtohet. Kurse për çështjen e furnizimeve ju sigurojmë që në vazhdimësi pranojmë furnizime me sisteme të armatimit dhe pajisje ushtarake” – tha Ministria
Tutje u tha se Forca e Sigurisë së Kosovës po zhvillohet si një forcë profesionale, e ndërveprueshme me NATO-n dhe e gatshme për të kryer detyrat e saj bazuar në mision.
“Asgjë e pavërtetë që thuhet për të nuk i kontribuon zhvillimit të saj, përkundrazi mbështetë tentativat për minimim e një pune kolosale brezash, sakrificën e dëshmorëve, veteranëve dhe gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës për formimin e një ushtrie të gatshme për mbrojtje të territorit” – theksohet në reagim.
Po ashtu u tha se ndjeshmëria e procesit të blerjeve dhe furnizimit, ligjërisht kufizon nivelin e informacionit që mund të ndahet me publikun pa dhënë shumë detaje.
Ministra njoftoi se janë evidente aktivitetet e shumta të FSK-së ku janë përdor e përdoren pajisjet dhe sistemet më moderne të armatimit me të cilat FSK është furnizuar dhe po furnizohet vazhdimisht.
Madje, MM tha se armatime të tjera po vijnë, dhe të gjitha sipas standardeve të NATO-s.