Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, më 28.10.2024 ka marrë pjesë në Forumin e ministrave të Brendshëm të shteteve të Ballkanit Perëndimor, në Budvë të Malit të Zi, të organizuar nga Presidenca Hungareze e Këshillit të Europës dhe Qeveria e Malit të Zi
Sveçla gjatë fjalës në këtë Forum ka prezantuar të arriturat e Kosovës në fushën e luftimit të krimit të organizuar, trafikimit me qenie njerëzore, armëve dhe narkotikëve si dhe në luftimin e migrimit të paligjshëm, si temat kryesore të këtij Forumi.
Ai ka thënë se gjatë vitit 2023, në fushën e luftimit të krimit të organizuar, terrorizmit, trafikimit me njerëz dhe me armë, institucionet kanë trajtuar 256 raste dhe 168 raste për 9-mujorin e këtij viti.
“Sveçla theksoi angazhimet e Policisë së Kosovës në luftën kundër trafikimit me droga dhe grupeve kriminale të përfshira. Nga janari i vitit të kaluar deri më tani është konfiskuar sasi e konsiderueshme e narkotikëve prej të cilave vlen të përmenden rreth 30 kg heroinë dhe mbi 2.5 ton kanabis. Gjatë periudhës 9 mujore të këtij viti, Policia e Kosovës ka arritur t’i zbulojë dhe shkatërrojë 4 laboratorë të cilët janë shfrytëzuar për prodhimin e narkotikëve si dhe 9 plantacione të kultivimit të kanabisit”- thuhet në komunikatë.
Tutje në njoftim thuhet se Sveçla prezantoi angazhimet e institucioneve relevante për migrimin e parregullt, duke thënë se Kosova më nuk është zonë qëndrimi për migrantë, pasi që për periudhën e fundit njëvjeçare, numri i migrantëve që janë identifikuar është vetëm 636, që i bie, vendi ynë ballafaqohet me më pak se dy migrantë në ditë.
“Sveçla rikonfirmoi përkushtimin e të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës në luftimin e çdo ilegaliteti që cenon sigurinë e vendit tonë, rajonit por edhe më gjerë”- thuhet në njoftim.
Forumi është organizuar nga Presidenca Hungareze e Këshillit të Europës dhe Qeveria e Malit të Zi.
