RRUFE

Ministri socialist Balla komenton aksionin e opozitës në Shqipëri: Dhuna nuk ka vend në demokraci

Ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Taulant Balla është deklaruar para mediave në lidhje me aksionin e Partisë Demokratike para objektit të Kuvendit të Shqipërisë, kur këta të fundit dogjën disa manekinë të veshur si të burgosur të cilëve u kanë printuar ne fotografi fytyrat e Edi Ramës, vëllait të kryeministrit, Olsi Rama, Fatmir Xhafaj dhe të vëllait të tij Geron Xhafaj.

Balla ka deklaruar se dhuna nuk ka vend në demokraci, teksa ka theksuar se po të ishte deputet, do ta përdorte foltoren për të folur në emër të popullit “e jo të sulmonte.”

“Kemi një situatë që unë mendoj se edhe ju dhe qytetarët e kanë parë shpesh. Kush mendon që të përsëritësh të njëjtën marrëzi gjithmonë edhe të presësh rezultat të ndryshëm e ka gabim. Apeli im si kolegë, si deputet prej 20 viteve në Kuvend është që dhuna nuk ka vend në një demokraci dhe nëse unë do isha deputet i opozitës, do ta përdorja nderin e madh që më ka bërë populli të jem përfaqësues i tyre, duke folur në emër të popullit në foltore e jo duke sulmuar”- ka deklaruar Balla.

Sipas Ballës, situata të tilla po ndodhin pikërisht kur Shqipëria është para ndonjë momenti historik, teksa përmendi Konferencën e Dytë Ndërqeveritare pas pak ditësh në Bruksel, mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.

Deputetët e opozitës më 02.10.2024 nuk janë lejuar të futen brenda objektit të Kuvendit për të marrë pjesë në seancën parlamentare. Kjo për shkak të një vendimi të sekretariatit të Etikës, i cili përjashtoi Flamur Nokën, Gazment Bardhin dhe Bledjon Nallbatin me 60 ditë nga punimet e Kuvendit, ndërsa Edi Palokën me 10 ditë. Ndërkohë 20 deputetët e tjerë u përjashtuan me 40 ditë.

Vendimi erdhi pas kërkesës së grupit parlamentar të Partisë Socialiste për marrjen e masës disiplinore për 24 deputetë të Partisë Demokratike, pas kaosit të shkaktuar në Kuvend ditën e hënë, dhe djegien e karrigeve.

Mos lejimi i futjes në Parlament, shkaktoi që opozitarët të përplasen edhe me gardën mirëpo edhe me deputetët socialistë.

Flamur Noka bashkë me deputetët opozitarë u kanë vënë flakën disa manekinëve të veshur si të burgosur të cilëve u kanë printuar ne fotografi fytyrat e Edi Ramës, vëllait të kryeministrit, Olsi Rama, Fatmir Xhafaj dhe të vëllait të tij Geron Xhafaj.

Më 30.09.2024, deputetë të Partisë Demokratike nxorën jashtë sallës së Kuvendit karriget e tyre dhe u vunë zjarrin në shenjë proteste ndaj burgosjes së deputetit Ervin Salianji. Ata po ashtu kërkuan një Qeveri teknike, që pas tyre, do ta çonte vendin në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

https://kallxo.com/lajm/shqiperi-digjen-manekinet-me-fotografite-e-edi-rames-dhe-te-tjereve-foto/


Postuar

,

nga