RRUFE

“Michniku, disidenca, cigaret”, Kurti rrëfen për takimin me ish të burgosurin politik polak

Me “cigaren” si kryefjalë, kryeministri kosovar Albin Kurti nisi dhe përfundoi mbresat nga takimi që ka zhvilluar me historianin, eseistin, intelektualin dhe disidentin polak, Adam Michnik.

Për Michnikun, kështu nisin edhe shumica e shkrimeve të gazetave – gjë që është tipar dallues për të edhe në shkrimet e tij.

Kurti për Michnikun thuri lavde se është stoik si qytetar dhe liberal në shoqëri: “mund të jetë i burgosur edhe nga fashizmi, edhe nga komunizmi, por jo nga frika”.

“Teksa ngjitemi shkallëve na paralajmëruan që ai pi shumë duhan. Ishte njëlloj kërkim faljeje paraprake për neve shoqëruar me brengë e dhembshuri për të”- ka shkruar Kurti në Facebook, pas takimit me Michnikun së bashku me ambasadorin në Poloni, Drilon Gashi.

Takimi u zhvillua në qoshen me libra në zyret e të përditshmes polake Wyborcza – gazetë e së cilës Michnik është kryeredaktor.

Kreu i ekzekutivit, me pasion e ka përshkruar Michnikun 78 vjeçar, me fjalët “mendjemprehtë, e kujtesë të gjerë, kritik dhe produktiv, me humor të hollë trashëgimi e situatave të burgut e disidencës”.

Kurti ndau edhe një rrëfim nga ai, se si në fillim të bisedës, Michniku kishte treguar se kur ka vizituar Prishtinën para shumë viteve, “në një rast teksa po mbante fjalim në frëngjisht para një grupi polakësh, përkthimi ishte në shqip dhe ata s’kuptuan asgjë”.

Duke e ftuar për një ligjëratë në Prishtinë, Kurti i premtoi Michnikut se padyshim se do ta zgjidhin problemin e përkthimit.

Për kryeministrin e Kosovës, si Michniku zor se ka një person të dytë që respektohet kaq shumë si prej atyre që pajtohen njësoj edhe prej atyre që s’pajtohen me të.

“Flet me admirim për Ismail Kadarenë dhe Fatos Lubonjën, por edhe për polemikën e tyre me njëri-tjetrin. Evokon përplot mbresa takimet me Adem Demaçin e Veton Surroin, dhe pyet për Kosovën sot…”- shkruajti Kurti.

Kurti thotë se i tregoi për përkthimet në shqip të shkrimtarëve nobelistë polakë, Czesław Miłosz, Wisława Szymborska e Olga Tokarczuk.

“Shtëllunga e tymit të cigares që nuk fiket ia mbështjell kokën e thinjur. Por fjalët që thotë dhe sytë që i shëndrrisin e zhbirojnë edhe atë. Shkallëve teposhtë te Gazeta Wyborcza futa dorën në xhepin e sakos, thua se edhe unë po kërkoja një shkrepëse për cigare”- përfundoi Kurti shkrimin e tij.

Në vitet 1966-1989 Michnik ishte një nga organizatorët kryesorë të opozitës ilegale, demokratike në Poloni.

Në janar 1968 u arrestua për organizimin e demonstratave studentore.

Michnik u arrestua dhe u dënua me tre vjet burg për “vepra huliganizmi”. Në vitin 1969 doli nga burgu me amnisti, por e ndaluan të vazhdonte studimet.

Në fillim të viteve 1970, Michnik u bë një teoricien me ndikim mbi marrëdhëniet midis shtetit dhe shoqërisë. Ai parashtroi teorinë e ‘evolucionizmit të ri’, duke hedhur poshtë reformën e udhëhequr nga komunistët si një mashtrim dhe duke parashikuar me saktësi emancipimin gradual të shoqërisë civile përmes një procesi vetëorganizimi.

Ai është fitues i shumë çmimeve, përfshirë Kalorësi i Legjionit të Nderit dhe Europian i Vitit.

Disa nga librat e tij më të njohur janë “Letra nga burgu dhe ese të tjera”, “Midis Zotit dhe Parsonit”, “Problemi me historinë: Morali, Revolucioni dhe Kundërrevolucioni”.


Postuar

nga