Situata me ushqimin për ushtarët e Forcës së sigurisë së Kosovës ka marrë reagime nga më të ndryshmet edhe nga pozita edhe opozita.
Anton Quni e Armend Zemaj kanë mbajtur një konferencë gjatë ditës së sotme (12.10.2024) e gjatë së cilës kanë thënë se ushtarët e FSK-së po përballen me kërcënimin real të helmimit nga ushqimi dhe infeksionit për shkak të kushteve të përkeqësuara higjienike.
“Kjo situatë alarmante, e konfirmuar nga Komandanti Jashari në një letër drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes, është një pasojë e drejtpërdrejtë e dështimit të qeverisë për të planifikuar dhe menaxhuar shërbimet thelbësore për ushtrinë tonë. Situata nuk është thjesht një çështje e vonesave në ushqim—është një çështje shëndeti, sigurie dhe gatishmërie operacionale”- u tha në konferencë.
Tutje në bazë të njoftimit të LDK-së, u tha edhe se deri te kjo situatë erdhën kontratat emergjente për blerje, të menaxhuara pa transparencë ose llogaridhënie.
“Prandaj Lidhja Demokratike e Kosovës ka një plan të qartë për ta rregulluar këtë. Nën drejtimin e LDK-së, blerja e ushqimit dhe shërbimeve të tjera thelbësore për FSK-në do të menaxhohet me profesionalizëm, transparencë dhe parashikim. Ne do të prezantojmë standarde ndërkombëtare për të siguruar që ushtarët tanë të mos lihen më kurrë në pozita të tillë të rrezikshme”- thuhet në njoftimin e LDK-së.
Në lidhje me ushqimin për ushtarakët ka reaguar edhe i pari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
“Përvoja ime në udhëheqje dhe çështje të sigurisë më thotë se goditjet e Qeverisë Kurti kundër Ushtrisë, janë krejtësisht të qëllimshme e assesi të rastësishme. Përgjegjësia në këtë nuk është vetëm politike, por gjithashtu edhe penale e kombëtare. Loja me uniformën e shtetit nuk do t’i falet askujt. Ta ruajmë Ushtrinë, ta ndrrojmë Qeverinë!”- ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Bekim Kupina i ka konfirmuar KALLXO.com se tashmë Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar një raport të detajuar nga Komandanti i FSK-së Bashkim Jashari si dhe ka ftuar në takim këtë të fundit bashkë me Ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedoncin.
“Presidentja Osmani ka përcjellë me shqetësim situatën e krijuar ditëve të fundit sa i përket furnizimit me ushqim të ushtarëve të FSK-së, ndaj menjëherë ka kërkuar raport të detajuar nga komandanti i FSK-së. Poashtu i ka ftuar në takim për ta diskutuar këtë çështje edhe më në detaje komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Jashari, por edhe Ministrin e Mbrojtjes z.Maqedonci”- ka thënë Kupina për KALLXO.com.
Tutje ai shtoi edhe se presidentja angazhohet, brenda kompetencave të saj, në funksion të zgjidhjes së problemit të shfaqur që ndikon pashmangshëm në operacionalitetin e FSK-së, procesin zhvillimor të saj, imazhin dhe integritetin e saj institucional.
“Përndryshe, Presidentja Osmani ka kohë që ka bërë propozimin për program shtetëror për mbështetjen e shumëdimensionale të FSK-së që ndikon direkt në rritjen e mirëqenies socio-ekonomike të saj, njëherit edhe motivin e tyre. Mirëpo, ky program ka nevojë që të ketë mbështetje buxhetore në ligjin për buxhetin e Republikës së Kosovës, i cili propozohet nga Qeveria dhe miratohet në Parlament”- ka thënë tutje Kupina.
Sipas tij programi 7 pikësh përfshin, pagesat e shtesave për rrezikshmëri, pagesat e kujdestarisë dhe punës jashtë orarit, pagesat e mëditjeve për pjesëtarët e FSK-së gjatë shkollimit dhe trajnimit jashtë vendit (gjatë tërë periudhës së shkollimit apo trajnimit e jo vetëm për 1 muaj), sigurimin shëndetësor, funksionalizimi i spitalit ushtarak me shërbime të nivelit sekondar dhe terciar mjekësor, përmirësimin e cilësisë së ushqimit me standardet me të larta shëndetësore dhe sanitare, sigurimi i banimit të përballueshëm për ushtarakët dhe familjet e tyre si dhe krijimin e fondit kreditues për ushtarakët.
“Realizimi i këtij programi mbështetës, gjithashtu ndikon në fuqizimin e operacionalitetit të FSK-së, në kohën e tranzicionit e zhvillimit të saj me qëllim të realizimit të detyrave ligjore dhe misionit kushtetues të saj për mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit shtetëror”- ka thënë Kupina.
Ai ka shtuar se përgjatë ditëve në vijim, pas takimeve të radhës me institucionet relevante, do të mund të japin më shumë detaje lidhur me këtë çështje.
Ministria e Mbrojtjes ka reaguar në disa postime të publikuara në faqen e tyre zyrtare në Facebook në lidhje me furnizimin me ushqim.
“Të gjitha kazermat e FSK-së janë funksionale dhe po shërbehet llojllojshmëri shujtash pavarësisht nga ajo që po tentohet të propagandohet në disa medie dhe rrjete sociale. E vërteta është se nuk ka mungesë të ushqimit dhe as të cilësisë, pasi të njëjtat produkte bazë përdoren në çdo shtëpi në Kosovë, e vetmja gjë me të cilën po përballemi është mungesa në numër e stafit teknik mbështetës, pasi kuzhinierët veçse i kemi angazhuar në këtë periudhë si rezultat i marrëveshjes me Qendrën Studentore si dhe Shërbimin Korrektues të Kosovës”- thuhet në reagimin e fundit të MM-së në Facebook me datë 11.10.2024.
Sipas tyre problem do të zgjidhet sapo të mbyllet konkursi për pranimin e stafit profesional vetanak, konkurs ky që është hapur dhe çdo procedurë do të përfundoj në afat prej 45 ditësh.
“Ndërsa letra drejtuar Ministrit të Mbrojtjes nga Komandanti i FSK-së është në vazhdën e komunikimit të zakonshëm ku raportohen vështirësitë të cilat hasen gjatë rrugës, dhe sigurisht se ndërtimi i kapaciteteve të vetqëndrushmërisë sa i përket ushqimit nuk është një proces pa vështirësi”- thuhet tutje në njoftim.
KALLXO.com në shtator publikoi edhe hulumtimin për historinë e tenderëve njëburimor që Ministria e Mbrojtjes I dha për ushqimin e ushtarëve të FSK-së.
Ministria e Mbrojtjes që nga tetori i vitit 2023 e deri në shtator 2024 ka dhënë tre tenderë me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, kompanive të cilat ishin shpallur të pa përgjegjshme nga ana e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), të njohur ndryshe si Gjykata e Tenderëve.
Kontratat e dhëna janë në vlerë miliona euro, ndërsa janë për furnizim me ushqim për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Ndjekja e procedurës së negociuar për furnizimin me ushqim për ushtarët është kritikuar nga opozita, duke e cilësuar si të dyshimtë zgjedhjen e kësaj procedure, ndërsa Ministria ka thënë se nevoja ka qenë emergjente dhe për këtë arsye është zgjedhur kjo procedurë.