RRUFE

LDK: Në vazhdimësi kemi folur për ekzistencën e një strukture kriminale parapolitike të partisë në pushtet

Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate më 15.10.2024 ka deklaruar se kjo parti në vazhdimësi ka folur për ekzistencën e një strukture kriminale parapolitike të partisë në pushtet – LVV-së.

“Raportimet e medieve gjatë dy ditëve të fundit, për përfshirjen direkte të strukturave parapolitike partiake të Lëvizjes Vetëvendosje në ndërmarrjen publike KEK dhe së këndejmi në aferat korruptive të Nagip Krasniqit e Martin Berishajt, vërtetojnë se shqetësimet e ngritura nga Lidhja Demokratike e Kosovës për aktivitetet kriminale, punësimet e paligjshme dhe tenderët sekretë kanë qenë plotësisht të sakta”- thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, LDK-ja do të shfrytëzojë të gjithë mekanizmat institucionalë, ligjorë e kushtetues për të zbardhur deri në fund të gjitha rastet e krimit, të korrupsionit dhe të keqpërdorimeve.

“Njëkohësisht, LDK-ja i bën thirrje organeve të drejtësisë për hetim të menjëhershëm, që personat dhe struktura kriminale përgjegjëse të dalin para drejtësisë”- thuhet në njoftim.

Reagimi i LDK-së ka ardhur pas publikimit nga media “Nacionale” të një bisede të pretenduar ndërmjet zyrtares së LVV-së, Dejona Mihali, dhe ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit.


Postuar

nga