Kryeministri Albin Kurti ka thënë se me mbështetjen që i kanë dhënë Telekomit të Kosovës kanë arritur ta nxjerrin nga humnera dhe ta orientojnë drejt zhvillimit.
Gjatë mbledhjes së Qeverisë, më 23.10.2024, ai tha se Telekomi i Kosovës çdo ditë po i modernizon shërbimet, duke shtuar se zhvillimi i sektorit të komunikimeve elektroteknike po merr hov të ri.
“Duke e mbështetur me kredi, operatorin publik e nxorëm nga humnera dhe po e udhëheqim drejt zhvillimit”- tha Kurti.
Sipas tij, Kosova në shkallë regjioni ka shtrirjen më të madhe të internetit dhe shërbimeve në amvisëri dhe biznese.
“Telekomi i Kosovës në partneritet me gjigantët e teknologjisë nga Suedia e Kroacia po i modernizon shërbimet 4G dhe 5G në tërë vendin tonë. Pothuajse çdo ditë mund të shihni njoftimet nga Telekomi për modernizimin e shërbimeve të Valës në të gjitha komunat anembanë, përfshirë ato veriore si rezultat i investimeve të cilat po bëhen” – shtoi ai.
Zhvillimi i Telekomit, siç ka thënë Kurti, ka prodhuar efekte pozitive edhe në sektorin privat.
“Edhe operatori tjetër po e zgjeron shtirjen e shërbimeve 5G”- tha Kurti.
Ai tha se Kosova po integrohet në hartën e shërbimeve të internetit.
Telekomi i Kosovës është kompani publike e transformuar në shoqëri aksionare.
Së voni, Federata Sindikale e Punëtorëve të Postës dhe të Telekomit të Kosovës kanë kërkuar hetime të specifikuara në lidhje me kontratën e nënshkruar në vitin 2009 në mes të Telekomit të Kosovës dhe operatorit Dardafon (Z Mobile), pasi sipas tyre, kontrata në fjalë është shkaktare për bllokimin e llogarive bankare të Telekomit nga një përmbarues.
Llogaritë bankare të Ndërmarrje Publike “Telekomi i Kosovës” qenë bllokuar nga përmbaruesi privat, më 03.10.2024.
Sipas një njoftimi të Telekomit, bllokimi ndërlidhej me rastin “Dardafon 2”.