Për herë të parë në cilësinë e të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexander “Sasha” Kasanof, do të vizitojë Kosovën të enjten më 10.10.2024, për të zhvilluar takime me liderë shtetërorë dhe partiakë.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka konfirmuar se do të takohet me Kasanof-in, më të cilin beson se do të vazhdojë bashkëpunimin njësoj si me pararendësin e tij, Gabriel Escobar.
“Se çfarë do të mund të presim prej tij, besoj që duhet të kemi një durim prej 24 orësh”- tha Kurti në konferencë për media më 09.10.2024.
Kasanof të mërkurën është takuar me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq gjatë qëndrimit të tij në Beograd.
“Para së gjithash, kam theksuar situatën jashtëzakonisht të vështirë dhe të ndërlikuar në Kosovë dhe kam treguar për kushtet pothuajse të pamundura në të cilat jeton populli serb”, ka shkruar Vuçiq në Instagram.
Me Kasanof, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Jashtme Donika Gërvalla u takuan gjatë Javës së Asamblesë të Kombeve të Bashkuara.
Ai shtoi se për një dialog konstruktiv nevojiten dy palë dhe se Serbia mbetet e përkushtuar për zgjidhjen paqësore të problemeve, “pavarësisht përshkallëzimeve të panevojshme të tensioneve nga njëra anë”.
Që nga 19.07.2024, Alexander “Sasha” Kasanof ka marrë detyrën e zëvendësndihmës sekretarit për Ballkanin Perëndimor, ka njoftuar Departamenti amerikan i Shtetit.
Kasanof kishte shërbyer si asistent ekzekutiv nën ish-nënsekretaren për Çështje Politike, Victoria Nuland, dhe gjatë mandatit të ushtruesit të detyrës së nënsekretarit për Çështje Politike, John Bass.
Ai ka shërbyer në Irlandë, Turkmenistan, Kili dhe Ukrainë. Ai madje ka marrë çmim për punën e tij si këshilltar politik në Ambasadën në Kiev gjatë Revolucionit të Maidanit dhe më pas pushtimit rus të Ukrainës.