RRUFE

Kurti kërkon ndihmë të jashtme për skanerë, pret që përfaqësimi në CEFTA të bëhet si Kosovë

Kryeministri Albin Kurti, pret që në takimin e radhës të CEFTA-s, që do të mbahet më 09.10.2024, vendi ynë të përfaqësohet si Kosovë. Duke folur për këtë çështje, ai kërkoi nga SHBA dhe Bashkimi Europian që t’i ndihmojnë Kosovës që të sigurojë skanerët për të kontrolluar mallrat që vijnë nga Serbia.

Shefi i ekzekutivit njoftoi se në shtatët ditët në vazhdim do të ketë zhvillime, meqenëse pas CEFTA-s, qysh javën tjetër do të mbahet edhe Samiti i Berlinit.

“Aty pritjet tona janë që të përfaqësohemi si Kosovë”- tha Kurti për takimin që do mbahet në CEFTA, gjatë një konference për media, më 07.10.204.

Shefi i ekzekutivit tha se deri sa të vijnë skanerët duhet të bëhen kontrolla të rrepta manuale.

“Na vjen keq për këtë gjë”- shtoi ai.

Kurti tha se po presin edhe nga SHBA dhe Bashkimi Europian që t’i sigurojnë Kosovës skanerë, sepse sipas tij, vetë kanë thënë se do të përpiqen për këtë gjë.

“Në ndërkohë edhe vetë Dogana e Kosovës është duke blerë skanerë. Ne nuk po u themi vetëm ndërkombëtarëve na ndihmoni, por na ndihmoni se edhe ne vetë po shpenzojmë”- tha ai, duke shtuar se siguria e Kosovës është siguri edhe për ndërkombëtarët.

Se a janë përmbushur kriteret e kërkuara nga Gjermania, Kurti tha se ka qenë vetë në Gjermani, në Portin e Hamburgut dhe ka parë se si funksionin skaneri statik dhe ai mobil.

“Ne duhet të ndërmarrim masa të sigurisë dhe asnjëherë tregtare. Ne po ndërrojmë këtë në një pikë kufitare. Këta kanë biseduar dhe negociuar me Bashkimin Europian, në veçanti me Gjermaninë”- tha ai.

Masa e sigurisë për mallrat serbe ka ndryshuar nga data 07.10.202, nga “kufizim” siç ka qenë deri më tani, në “kontroll të shtuar” vetëm në pikën kufitare në Merdarë, “derisa të sigurohen skanerët”.

Sipas Kurtit, ndërrimi i masës në Merdare është mëse i mjaftueshëm që të mërkurën në CEFTA dhe të hënën më 14 tetor në Proces të Berlinit Kosova të ketë sukses të plotë.

CEFTA është një projekt ndërkombëtar i krijuar nga ana e Bashkimit Europian, me qëllim të lehtësimit të këmbimeve tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Atëbotë, marrëveshja për anëtarësim u nënshkrua nga UNMIK-u, në emër të Kosovës. Pas pavarësisë, institucionet kosovare ndërruan vulat doganore, mirëpo edhe pse u vendosën simbolet shtetërore, Kosova vazhdoi të përfaqësohet nga UNMIK-u.

Vendimmarrja në CEFTA, është bllokuar për shkak se Qeveria do që Kosova të përfaqësohet si shtet që ka shpallur pavarësinë, e jo përmes misionit të OKB-së.

E gjithë “rrëmuja” me dyshimet se Kosova mund të përjashtohet nga Procesi i Berlinit besohet se po ndodhë për shkak se Qeveria e Kosovës e ka ndaluar importin e mallrave nga Serbia më 15 qershor 2023, një ditë pasi forcat serbe kishin arrestuar tre policë të Kosovës.

Mandati i Procesit të Berlinit është për ta lehtësuar bashkëpunimin rajonal midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor – Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë – për t’u mundësuar atyre që t’i bashkohen BE-së.


Postuar

nga