RRUFE

Krasniqi: PDK ka marrë obligim që ta kthejë Kosovën përsëri në rrugë të drejtë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në 25-vjetorin e themelimit të kësaj partie, është shprehur se PDK qëndron si testament se Kosova meriton të ekzistojë si shtet i pavarur, i zhvilluar dhe me perspektivë.

Në përvjetorin e themelimit të partisë të cilën e udhëheq, Krasniqi është shprehur krenar me të duke uruar dy ish-kryetarët e kësaj partie, Hashim Thaçin e Kadri Veselin.

“Kur popullit tonë i cenohej identiteti, gjuha, shpresa dhe vetë ekzistenca, të rinjtë trima si Hashim Thaçi, Kadri Veseli e shumë bashkëveprimtarë dhe bashkëveprimtare të tyre, shumë prej të cilëve i kemi edhe sonte prezent këtu, u ngritën në këmbë dhe formuan Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, organizimin më të suksesshëm politiko-ushtarak në historinë tonë, si ADN-ja e partisë tonë. Prandaj, derisa festojmë 25 vjetorin e Partisë Demokratike të Kosovës, ju lus të gjithëve që jeni sot që t’ia rikujtoni gjithmonë vetes një gjë: Partia Demokratike e Kosovës është një histori e jashtëzakonshme e dashurisë, sakrificës dhe kontributit për Kosovën!” – citohet të ketë thënë Krasniqi sipas një komunikate të lëshuar sot, më 10.10.2024, nga PDK. 

Sipas Krasniqit, sukseset e PDK-së, ndër vite, i kanë shqetësuar kundërshtarët e kësaj partie dhe të Kosovës të cilët, siç thotë, ai u përpoqën të rrënojnë çdo sukses të arritur të tyre.

Në shënim të këtij përvjetori, Krasniqi ka folur edhe për zgjedhjet e reja nacionale që do të mbahen më 09.02.2025, i cili tha se në këtë datë, PDK ka marrë obligim që, sipas tij, ta kthejë Kosovës në rrugë të drejtë, për çka thotë se për këtë arsye e ka zgjedhur për të kandiduar për kryeministër të vendit Bedri Hamzën. 

Ndërkaq, Hamza ka premtuar paga të dinjitetshme dhe se çdo mjek, profesor e zjarrfikës do ta ushtrojnë profesionin e tyre me krenari. 

“Së bashku, ne do t’i heqim barrierat ndaj njëri-tjetrit. Së bashku do t’i heqim barrierat e mundësive për qytetarët tanë. Së bashku do të sigurohemi që çdo fëmijë të ketë një arsimim të shekullit 21. Që çdo i ri të ketë siguri se mund ta nisë jetën në Kosovë pa frikë. Që çdo zyrtar do të ketë një pagë të dinjitetshme. Që çdo ndërmarrës nuk do të lihet kurrë i vetëm deri sa të ngritet në këmbë. Që çdo mjek e profesor, mësimdhënës e polic, zjarrfikës e ushtar, kategori të luftës e pensionistë do ta ushtrojnë detyrën me motiv dhe krenari. Së bashku do të punojmë që polarizimi ynë shoqëror të shndërrohet në unitet e energji, sepse në shoqërinë tonë, nuk ka vend as për urrejtje, as për përçarje. Unë besoj se kjo është Kosova që e duam të gjithë” – u zotua Hamza sipas komunikatës së PDK-së.


Postuar

nga