RRUFE

‘Kosovo – Albania Theatre Showcase – 2024’, Tirana nikoqire e ngjarjes më të madhe teatrore në rajon

Qendra Multimedia nga Prishtina në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahviogli” dhe Qendrën M.A.M, do të sjellin për herë të parë në Tiranë ngjarjen më të madhe teatrore në rajon, “Kosovo – Albania Theatre Showcase – 2024″.

Qendra Multimedia ka bërë të ditur përmes një njoftimi se nga 29 tetor 2024, e deri më 2 nëntor (2024), mbi 100 mysafirë ndërkombëtarë, ndër të cilët selektorë festivalesh, kritikë e gazetarë teatri si dhe profesionistë të ndryshëm të teatrit nga vendet të ndryshme do të mblidhen në Tiranë për një program të larmishëm me shfaqje teatrore, panele diskutimi, ngjarje të natyrës promovuese për dramaturgë e artistë të rinj të teatrit si dhe ngjarje edukative.

Në total, sipas Qendrës Multimedia do të prezantohen 10 shfaqje teatri nga Shqipëria, Kosova, Greqia e Serbia, si dhe do të ketë dhjetëra ngjarje përcjellëse, për teatrin, dramaturgjinë e kritikën teatrore.

 “Programi do të hapet më datë 29 nga ora 18:00 me shfaqjen ‘Lule Sajza’, prodhim i Teatrit Kombëtar Eksperimental ‘Kujtim Spahivogli’, ndërsa do të pasohet me një performancë unike të grupit polifonik “Bashkimi” në ora 19:00 në ceremoninë zyrtare të hapjes së festivalit. Dita e parë do të vazhdojë me premierën e shfaqjes ‘Fausti’ prodhuar nga Teatri Kombëtar i Shqipërisë”- thuhet në njoftimin e Qendrës Multimedia.

Po sipas Qendrës, gjatë këtij aktiviteti do të organizohen diskutime, performanca e punëtori artistike.

“Për gjashtë vite me radhë, kjo ngjarje e përmasave ndërkombëtare është mbajtur në Prishtinë dhe ka qenë një platformë promovuese e rrjetëzuese për skenën vendore teatrore. Këtë vit, Qendra Multimedia e ka zgjeruar këtë platformë edhe në Shqipëri, me qëllim të promovimit të skenës teatrore të Shqipërisë”- thuhet në njoftim.

Sipas Qendrës Multimedia gjatë “Kosovo – Albania Theatre Showcase – 2024”  do të marrin pjesë në drejtues të disa prej teatrove më të njohura europiane.

 

 

 

 

 


Postuar

, ,

nga