Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, deklaroi se në takim me shefin e Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Aivo Orav, ndër të tjera, kanë diskutuar edhe për çështjen e masave të BE-së ndaj Kosovës.
Kryeziu-Hyseni në një konferencë për media më 09.10.2024, shtoi se të gjithë deputetët kanë kërkuar që ambasadori i ri të angazhohet në mënyrë që kjo qasje të mos vazhdojë.
“Kemi diskutuar edhe për çështjen e masave, që mendojmë se ka kaluar një kohë e gjatë që ato po mbahen padrejtësisht. Kemi kërkuar nga ambasadori që ta shtrojë këtë temë edhe te vendet anëtare sepse është e rëndësishme që këto masa të hiqen sidomos pas vendimeve të njëpasnjëshme të Qeverisë së Kosovës në përputhje me atë çfarë Bashkimi Europian po kërkon. Prandaj besojë se kjo kërkesë ka qenë e njëzëshme, sepse gjithë deputetët e kanë kërkuar si njërën prej çështjeve që ambasadori i ri i BE-së duhet të angazhohet në mënyrë që kjo të mos vazhdojë”- ka thënë ajo.
Ajo tutje tha se kanë biseduar lidhur me çështjet që janë në interes për Kosovën.
Kryeziu–Hyseni tha se takimi ishte më shumë njoftues për shkak se kjo është hera e parë që ambasadori i i ri takohet me Komisonin për Punë të Jashtme dhe Diasporë.
Shefi i ri i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav ka marrë detyrën më 01.09.2024 për një periudhë fillestare prej dy vitesh. Këtë mandat paraprakisht e ka pasur Tomas Szunyog, i cili ka qenë si ambasador i BE-së në Kosovë nga viti 2020.
Ambasadori i ri ka përvojë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pasi më herët ka shërbyer si shef i delegacionit të bllokut evropian në Maqedoninë e Veriut nga viti 2012 deri më 2016 dhe në Mal të Zi, nga viti 2016 deri më 2020.
https://kallxo.com/lajm/shefi-i-zyres-se-be-se-ne-kosove-takohet-me-komisionin-parlamentar-per-pune-te-jashtme/