Lideri suprem i Iranit, ajetollahu Ali Khamanei, e paralajmëroi liderin e “Hezbollahut”, Sayyed Hassan Nasrallah, që të largohej nga Libani disa ditë para se ai të vritej prej bombardimit izraelit, dhe tani është i shqetësuar për infiltrimin izraelit në mesin e radhëve të larta të Qeverisë në Teheran, kanë thënë ekskluzivisht për Reutersin tri burime iraniane.
Menjëherë pas sulmeve nëpërmjet pajisjeve të komunikimit, pagerë, më 17 shtator, Khamanei i kishte dërguar një mesazh nëpërmjet një emisari që sekretari i përgjithshëm i “Hezbollahut” ta lëshonte urgjentisht Libanin drejt Iranit, duke cituar raporte inteligjence, që sugjeronin se Izraeli kishte operativë brenda “Hezbollahut” dhe se po planifikonte vrasjen e tij, ka thënë një prej burimeve iraniane, ka raportuar Reuters.
I dërguari, ka thënë zyrtari, ishte një komandant i lartë të Gardave Revolucionare, gjeneralbrigadieri Abbas Nilforousha, i cili ishte me Nasrallahun në bunkerin e tij kur u qëllua prej bombave izraelit edhe gjithashtu u vra në sulm.
Khamenei, i cili po qëndron në një lokacion të sigurt brenda Iranit prej të shtunës, urdhëroi personalisht një sulm me 200 raketa drejt Izraelit të martën mbrëma, ka thënë një burim tjetër i lartë iranian. Sulmi ishte hakmarrje për vrasjen e Nasrallahut dhe Nilforoushanit, thuhet në një deklaratë të Gardave Revolucionare.
Në deklaratë u përmend edhe vrasja në korrik e liderit të “Hamasit”, Ismail Haniyeh, në Teheran, dhe sulmet izraelite në Liban. Izraeli nuk ka marrë përgjegjësi për vdekjen e Haniyeh. Izraeli nisi të martën atë që e ka quajtur inkursion “të kufizuar” tokësore kundër “Hezbollahut” në Libanin jugor.
Frika e Iranit për sigurinë e Khameneit dhe humbja e besimit në mesin e “Hezbollahut” dhe establishmentit të Iranit, raportohet pas diskutimeve të Reutersit me 10 burime të ndryshme për këtë shkrim. Ata kanë përshkruar gjendjen që mund të ndërlikojë funksionimin efektiv të aleancës Boshti i Rezistencës të grupeve të armatosura kundër Izraelit.
I themeluar me mbështetjen iraniane në vitet 1980, “Hezbollahu” ka qenë anëtari më i rëndësishëm i aleancës.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com