RRUFE

Kasanof në veri, takoi përfaqësues të organizatave joqeveritare

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof ka vizituar veriun e Kosovës, të premten më 11.10.2024.

Në një restorant në Mitrovicë të Veriut, Kasanof është takuar me përfaqësues të organizata joqeveritare që udhëhiqen nga qytetarë serbë.

Kur doli nga hapësirat e restoranti, i dërguari amerikan nuk pranoi të flasë para gazetarëve që shprehën interesim për t’i bërë pyetje.

Jovana Radosavljeviq, drejtoreshë e Organizatës joqeveritare “New Social Iniciative” e tha për KALLXO.com se mes tjerash në takim folën edhe për çështjen e Urës së Ibrit.

“Kemi dëgjuar nga z.Kasanof se siç është qëndrimi i komunitetit lokal këtu, është edhe qëndrimi i qeverisë amerikane se nuk është koha për ta hapur urën në këtë kohë”- tha ajo.

Ajo shtoi se në takim u diskutua edhe shoqërimi në polici i politikanit serb, Aleksandar Arsinijeviq.

“Kemi shkuar për të diskutuar situatën në terren dhe çështjet me të cilat komuniteti i dytë është marrë në 3-4 vitet e fundit me qeverinë aktuale. Ne ngremë shqetësimin tonë për arrestimin e fundit të aktivistit Aleksandar Arsenijeviq dhe fakton qe njerëzit po mohohen të pritestojnë. Diskutuam për veprimet e njëanshme të qeverisë e cila ka shpërfillur nevojat e komunitetit lokal. Dhe kemi diskutuar hapat e përgjisthshëm për mundësitë e në sezonën e zgjedhjeve”- tha ajo për KALLXO.com.

Jovana Radosavljeviq, Drejtoreshë e Organizatës joqeveritare “New Social Iniciative”

KALLXO.com ka raportuar se më 10.10.2024 Gjykata e Mitrovicës ka marrë vendim përmes të cilit ia ndalon politikanit serb të Kosovës, Aleksandar Arsenijeviq, t’i afrohet deri në 40 metra shefit të kabinetit të kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Visar Sylës.

Në lidhje me ndalimin 48 orësh të politikanit serb Aleksandar Arsenijeviq, nën dyshimin për veprën penale – ngacmim, Prokuroria e Mitrovicës kishte kërkuar caktimin e masës së ndalimit për t’iu afruar personit apo vendit të caktuar.

Ndërsa më 09.10.2024 Arsenijeviq, është ndaluar për 48 orë nga Policia e Kosovës si i dyshuar për ngacmim ndaj shefit të kabinetit të kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Visar Sylës të cilit i ka fishkëllyer.

Ndërsa i përket urës e cila ndan dhe bashkon qytetin e Mitrovicës, KALLXO.com ka raportuar për testime, vlerësime, ngjyrosje e riparime. Këto veprime e edhe të tjera u ndërmorën gjatë verës së 2024-ës në Urën e Ibrit në Mitrovicë.

Hapja e kësaj ure për qarkullimin e veturave ishte çështje e diskutimit nga vendorët e ndërkombëtarët.

E diskutimet për po këtë çështje, po vazhdojnë ende në mes dy palëve.

Është po ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla ai i cili konfirmoi gjatë një interviste në “Kallxo Përnime” më 28.09.2024 se hapja e urës do të ndodhë, e momenti se kur do të bëhet kjo ende nuk dihet. Sveçla tha se bashkë me ndërkombëtarët, aleat të Kosovës, është duke u biseduar hapja e Urës së Ibrit.

Madje, ministri ka thënë se tashmë nuk po diskutohet se a duhet apo jo të hapet ura, por po diskutohet se kur do të ndodhë kjo.

“Aty jemi duke bisedu me aleatët tanë, jemi duke bisedu edhe me KFOR-in, aty nuk është çështje e diskutimeve a duhet të hapet ura, apo nuk duhet të hapet ura. Është çështje e momentit kur duhet të hapet ura e prandaj edhe po diskutojmë” – tha Sveçla.

Ai gjithashtu tregoi se edhe për veprimet e më hershme mbi këtë urë, testime e veprime të tjera, për të gjitha ishte në dijeni misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.

Emisari i ri amerikan Kasanof, po qëndron për herë të parë në Kosovë prej kur u emërua zëvendësndihmës Sekretar për Ballkanin Perëndimor më 19.07.2024.

Kasanof kishte shërbyer si asistent ekzekutiv nën ish-nënsekretaren për Çështje Politike, Victoria Nuland, dhe gjatë mandatit të ushtruesit të detyrës së nënsekretarit për Çështje Politike, John Bass.

Ai ka shërbyer në Irlandë, Turkmenistan, Kili dhe Ukrainë. Ai madje ka marrë çmim për punën e tij si këshilltar politik në Ambasadën në Kiev gjatë Revolucionit të Maidanit dhe më pas pushtimit rus të Ukrainës


Postuar

nga