Organizata joqeveritare Internews Kosova ka lansuar raportin “Diskriminimi sistematik në hapësira dhe punësim” të martën më 15.10.2024.
Ky raport është hartuar në kuadër të projektit “Luftimi i diskriminimit, gjuhës së urrejtjes dhe dhunës në baza gjinore”, i cili është mbështetur nga Bashkimi Europian.
Hulumtimi ka zgjatur gjashtë muaj, ndërsa hulumtuesi i IKS-së, Valon Fana tha gjetjet tregojnë se shumica e institucioneve nuk e zbatojnë kriterin ligjor rreth punësimit të personave me aftësi të kufizuara dhe punësimin e grave.
“Shumica e institucioneve të monitoruara udhëhiqen nga burrat. Pra përfaqësimi gjinor në pozita udhëheqëse mungon. Në shumicën e vendeve ku kemi shkuar kemi parë që nga komunitetit janë numër i paktë i të punësuarve. Gjithashtu fëmijët vijojnë shumë pak mësimin”- tha mes tjerash ai.
Lidhur me gjetjet e raportit, përfaqësuesi i BE- së në Kosovë, Johannes Madsen, është shprehur se shoqëria civile duhet të vazhdojë të kërkojë llogari nga institucionet për vetëdijësimin e qyetetarëve lidhur me diskriminimin në hapësira dhe punësim.
Madsen gjatë fjalës së tij në konferencë, ka deklaruar se në Kosovë gjatë viti të fundit, ka pasur “progeres të ngadaltë” lidhur me pengesat që përballen individët e caktuar dhe me diskriminimin që ata hasin në tregun e punës.
“Ne parashohim një shoqëri ku pengesat do të rrënohen, ku punëdhënësit do përqafojnë diversitetin dhe ku institucionet do të bëjnë hapat të prekshëm dhe konkret për të siguruar qasje dhe aksesueshmëri për të gjithë”- ka thënë Madsen.
Sipas tij, diskiminimi në punë, kërkon qasje të përkushtuar të qeverisë, bizneseve, shoqërisë civile dhe individëve të tjerë.
Ndryshe raporti në fjalë është produkt i monitorimit dhe hulumtimit gjashtëmujor me vizita direkte në 27 institucione publike, pesë komuna dhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).me fokus qasjen e kategorive të margjinalizuara të shoqërisë në hapësira publike dhe respektimin e ligjit nga institucionet në fokus.
Ky raport është i dyti i këtij lloji që ofron rekomandime konkrete për zbatimin e politikave kundër diskriminimit në institucione. Raportin e parë: “Diskriminimi sistematik në hapësira dhe punësim”, i cili është hartuar nga IKS dhe është publikuar në vitin 2023.