RRUFE

Huqja për vërtetueshmërinë për dënim me burgim të përjetshëm

Më datë 11.01.2024, Gazeta “Nacionale Videos” (Arkiva) ka publikuar një video në të cilin tregohet se është hera e parë në Kosovë që një person dënohet me burgim të përjetshëm pas vërtetimit të dënimit nga tri shkallët gjykatës së Kosovës, Themelorja, Apeli dhe Supremja.

Në Gazetën “Nacionale Videos” thuhet se “Dënimi i parë me burgim të përjetshëm në Kosovë, ai u dënua për vrasjen e vëllait, ngjarja kishte ndodhur në fshatin Bërnjak të Rahovecit… Në burg të përjetshëm me dënim të vërtetuar nga të gjitha gjykatat do të qëndrojë Gani Kriezi”

Fillimisht ky postim del të jetë i pasaktë në momentin kur thuhet se është hera e parë në Kosovë që një person dënohet me burgim të përjetshëm dhe i njëjti vërtetohet në tri instancat e Gjyqësorit sepse në Kosovë nuk ka pasur asnjëherë një dënim me burgim të përjetshëm i cili ka marrë epilog përfundimtar pa i’u ndryshuar vendimi mbi dënimin.

Verifikuesit e fakteve kanë konfirmuar se në asnjë rast deri me tash, nuk është vërtetuar dënimi me burgim të përjetshëm nga Gjykata Supreme.

Verifikuesit e fakteve janë interesuar të vërtetojnë nëse ajo çka thuhet në gazetën “Nacionale Videos” qëndron.

“Lidhur me pyetjet tuaja, ju njoftojmë se në asnjë rast deri më tash, nuk është vërtetuar dënimi me burgim të përjetshëm nga Gjykata Supreme” – tha për verifikuesit e fakteve, zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Uka.

Sipas Gjykatës Supremes, pas ankesës në shkallë të tretë në Gjykatën Supreme, i dënuari ka të drejtë të paraqes edhe kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë ndaj vendimit të Supremes (në rast se është i pakënaqur me vendimin e vendosur përmes ankesës).

“Kjo pasi, pas ankesës në shkallë të tretë në Gjykatë Supreme, i dënuari ka të drejtë të paraqes edhe kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë (në rast se është i pakënaqur me vendimin e vendosur përmes ankesës)” – thuhet tutje në përgjigjen e Gjykatës Supreme.

Gjykata Supreme për verifikuesit e fakteve ka konfirmuar se kanë qenë të vërtetuara dy vendime me dënim me burgim të përjetshëm, por që me tu ankuar për ato vendime dhe me t’i rishikuar përsëri Supremja, i ka ndryshuar vendimet mbi dënimet.

“Në Gjykatë Supreme, në dy raste që janë refuzuar ankesat në shkallë të tretë, të dënuarve me burgim të përjetshëm, të njëjtit (përmes mbrojtësve të tyre) kanë ushtruar të drejtën për të paraqitur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë. Kolegji penal i Gjykatës Supreme gjatë vendosjes lidhur me këto kërkesa, ka ndryshuar vendimin mbi dënimin në të dy rastet.” – thuhet tutje në përgjigjen e gjykatës.

Po ashtu verifikuesit e fakteve kanë konstatuar se njëra nga këto dy raste që Kolegji Penal i Supremes ka ndryshuar vendimin është pikërisht rasti për të cilin faqja “Nacionale Videos” pretendon që është personi i parë i dënuar me burgim të përjetshëm.

Gani Kriezi për të cilin faqja “Nacionale Videos” pretendon se i është vërtetuar dënimi me burgim të përjetshëm verifikuesit e fakteve kanë arritur që të sigurojnë aktgjykimin e Gjykatës Supreme, ku në vendim të gjykatës supreme thuhet se nga vendimi me dënim me burgim të përjetshëm i shqiptohet dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 35 vitesh.

“Me aprovimin e pjesshëm të kërkesës e përbashkët për mbrojtjen e ligjshmërisë të mbrojtësve të dënuarit G. K., NDRYSHOHET, aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Gjakovës, aktgjykimi i Gjykatës së Apelit të Kosovës, si dhe aktgjykimi i Gjykatës Supreme të Kosovës, përkitazi me vendimin për dënimin ashtu që për veprat penale vrasje e rendë, dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar, për të cilat është shpallur fajtor i shqiptohet dënimi me burgim në kohëzgjatje prej tridhjetepesë (35) vitesh, në të cilin dënim i llogaritet koha e kaluar në paraburgim prej datës 09.04.2020 e tutje.”- thuhet në njoftimin e gjykatës.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, për vepra penale për të cilat ligji parasheh dënim me burgim të përjetshëm, gjykata ka si mundësi që të shqiptoj dënim me burgim deri në tridhjetë e pesë (35) vite dënim me burgim.

“Për vepra penale për të cilat ligji parasheh dënim me burgim të përjetshëm, gjykata mund të shqiptoj dënim me burgim deri në tridhjetë e pesë (35) vjet.”- thuhet ne nenin 42 paragrafi 2 i Kodit Penal të Kosovës.

Rasti i dytë të cilit një personi të dënuar me burgim të përjetshëm pas aprovimit të kërkesës për mbrojte të ligjshmërisë i është ndryshuar dënimi me 25 vite dënim me burgim është marrë në 10.11.2021.

Sh.S., ishte dënuar për veprën penale të vrasjes së rëndë nga Gjykata Themelore e Prizrenit më 24.09.2020, ky vendim ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit më 16.02.2021. Këto dy vendime nuk i kishte konfirmuar edhe Gjykata Supreme pasi kishte marrë vendim për të ndryshuar dënimin ndaj të dënuarit, nga burim i përjetshëm në burgim me dënim prej 25 vite dënim me burgim.

“Me aprovimin e pjesshëm të kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë të mbrojtësit të dënuarit Sh.S., ndryshohen aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prizren PKR.nr.41/2019 i datës 24.09.2020, aktgjykimi i Gjykatës së Apelit të Kosovës PAKR.nr.05/2021 i datës 16.02.2021 dhe aktgjykimi i Gjykatës Supreme të Kosovës PA.II.nr.2/2021 i datës 20.05.2021, përkitazi me vendimin për dënimin ashtu që për veprat penale vrasja e rëndë nga neni 179 par.1.4 të KPRK dhe manipulimi me prova nga neni 397 par.1 të KPRK për të cilat është shpallur fajtor i shqiptohet dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 25 (njëzetepesë) vitesh, në të cilin dënim i llogaritet koha e kaluar në paraburgim prej datës 17.03.2019 e tutje”- thotë aktgjykimi i Gjykatës Supreme të datës 10.11.2021

Po ashtu verifikuesit e fakteve kanë konstatuar se rastet tjera me burgim të përjetshëm nga shkallët më të ulëta gjyqësore – gjatë vendosjes me ankesë në shkallë të tretë nga Gjykata Supreme, janë kthyer në rigjykim.

“Rastet tjera të gjykuara me burgim të përjetshëm nga shkallët me të ulëta gjyqësore – gjatë vendosjes me ankesë në shkallë të tretë nga Gjykata Supreme, janë kthyer në rigjykim.” – ka thënë për Kallxo.com Antigona Uka, zëdhënëse e Gjykatës Supreme.

Kodi Penal i Kosovës si lloje të dënimeve kryesore e parasheh dënimin me burgim të përjetshëm, dënimin me burgim dhe dënimin me gjobë.

Kodi Penal i Kosovës mund të parasheh dënimin me burgim të përjetshëm për veprat më të rënda penale të kryera në rrethana veçanërisht rënduese ose për vepra penale që kanë shkaktuar pasoja shumë të rënda.

Dënimi me burgim të përjetshëm mund të shqiptohet ndaj personave që kryejnë vepra penale të cilat cilësohen që janë jashtëzakonisht të rrezikshme për shoqërinë.


Postuar

,

nga