Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se mërgata shqiptare “nuk meriton të gënjehet e të mashtrohet sa herë që afrohen zgjedhjet”.
Sipas Haradinajt, kryeministri Albin Kurti nuk mbahet mend ta ketë vizituar diasporën ndonjëherë.
“T’u thoshte bashkëkombësve tanë se ai dhe qeveria e tij e kanë lënë pa bukë Ushtrinë e Kosovës; sepse i kanë vjedhur rezervat ushqimore, miell e vaj, që vendit i duhen në kohë krize. Të ju sqaronte bashkombasve se së bashku me Listën Serbe i kanë përjashtuar luftëtarët e lirisë nga pagat që i meritojnë. Diasporës duhet t’i tregohet e vërteta se Albin Kurti dhe qeveria e tij janë fajtorë pse Kosova nuk është në proces të anëtarësimit në NATO, se Kosova është përjashtuar nga “Defender”, se është nën sanksione të BE-së”- ka shkruar ai.
Sipas Haradinaj “janë edhe 1001 të vërteta të tjera të dhimbshme që Albin Kurti nuk i kishte përmendur në takim me diasporën, por sot bota është zvogëluar dhe njerëzit po shohin e po dinë”.
“Kushdo që e respekton, e nderon dhe e konsideron diasporën si pjesë të atdheut, ai ia thotë asaj të vërtetën. Gënjeshtra apo gjysmë e vërteta janë mohim i saj”- ka thënë Haradinaj.
Reagimi i tij vjen pas takimeve që ka zhvilluar Kurti më 12 dhe 13 tetor 2024 me bashkatdhetarët në Mynih, Shtutgart dhe Këln të Gjermanisë.
https://kallxo.com/lajm/kurti-takohet-me-bashkatdhetaret-ne-keln-te-gjermanise-si-shtet-ju-jemi-thellesisht-mirenjohes/