RRUFE

Haradinaj akuzon Kurtin: Ai është spiun i Serbisë, e ka lënë ushtrinë pa bukë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj gjatë fjalimit në seancën e jashtëzakonshme për problemet me furnizim me ushqim në FSK, ka hedhur akuza ndaj kryeministrit Albin Kurti duke e quajtur atë “spiun të Serbisë dhe tradhtar”, pasi sipas tij, ai i ka lënë ushtarët pa bukë.

“Një ditë këtu i kam thënë se ai është spiun i Serbisë, [dhe] po është spiun i Serbisë. Po- është tradhtar ai njeri që e le ushtrinë pa bukë. Çka tjetër me i thanë këtij njeriu” – ka deklaruar Haradinaj.

Ndër të tjera, ai ka deklaruar se për gjendjen e krijuar do duhej të merreshin masa urgjente dhe të shkarkoheshin përgjegjësit e kësaj situate.

“Këshillin e Sigurisë e kisha thirrë në gjysmë të natës. Shtatë veta i kisha çu në shtëpi. Kam çu njerëz në shtëpi për sene më të vogla se kjo. Shtab krize ish ba e s’kish guxu ushtria e ushtari me nejtë pa ato që i takojnë e pa ushqim”, ka thënë Haradinaj.

Kjo seancë është thirrur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 43 nënshkrime të deputetëve, me një rezolutë të propozuar.

“Propozim Rezoluta është e thjeshtë: ‘Kuvendi i Republikës së Kosovës e obligon Qeverinë, Ministrinë e Mbrojtjes, që me urgjencë ta zgjidhë çështjen e furnizimit me ushqim si dhe me të gjitha pajisjet tjera të nevojshme’. Nesër Kuvendi do të obligojë Qeverinë të zgjidhë këtë çështje. Për sqarim: ky draft i Rezolutës mund të plotësohet nga deputetët në seancë”- ka njoftuar shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri në Facebook.

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, opozita ka hedhur akuza ndaj Qeverisë për keqmenaxhim e sabotim të FSK-së.

Por në këtë seancë nuk kanë marrë pjesë deputetët e mazhorancës.

Ndërkaq, para nisjes së seancës, Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka mbajtur konferencë për media.

Sipas deputetit të VV-së, Enver Dugolli, kjo seancë e thirrur nga opozita është me qëllim të shantazhimit të grupit të tyre parlamentar, andaj edhe nuk do të marrin pjesë në asnjë lloj senace të thirrur nga ana e opozitës .

Kërkesën për seancë të jashtëzakoshme nga opozita, Dugolli e ka qujatur “seri të dezinformatave” që sipas tij tentojnë t’i keqinformojnë qytetarët  e vendit.

Ndërkaq, për ankesat për ushqimin e ushatrëve të FSK-së, Dugolli, thotë se janë bërë për shkak të “damarëve”  që u  janë shkëputur” disa financuesve nga partitë poltike.

“Këto që i dëgjoni në publik, nuk e kanë për buxhetin, nuk e kanë për mbështetjen  e Forcës së Sigurisë së Kosovës, e kanë thjesht për do damarë që janë shkëputur për disa financues të partive poltiike e me theks të veçantë për  një parti politike, ose edhe më shumë”- ka thënë Dugolli.

Krahas kësaj, deputeti tjetër i mazhorancës, Mefail Bajqinofci ka folur për kontrata që Ministria e Mbrojtjes i ka dhënë kompanisë “Beni Dona”, e cila kompani sipas tij, deri më tani, vetëm nga Ministria e Mbrojtjes ka fituar miliona euro.

Çështja e ushqimit të FSK-së është diskutuar që rreth dy javë nga partitë politike e opinioni publik.

Për këtë temë, Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar një raport të detajuar nga Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari dhe e ka ftuar në takim atë dhe Ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com këshilltari për media në presidencë, Bekim Kupina, më 12.10.2024.

Problemi me ushqimin e ushtarëve të Kosovës është krijuar pasi që kontrata për tenderin e fundit të shpallur për këtë qëllim ende nuk është nënshkruar dhe rrjedhimisht ende nuk ka filluar të zbatohet. Në anën tjetër, tenderit paraprak i ka skaduar kontrata më 30.09.2024.

Ushtarakët e Kosovës aktualisht janë duke u ushqyer nga kuzhinierët e Qendrës Studentore dhe nga ata të Shërbimit Korrektues të Kosovës.


Postuar

nga