RRUFE

Grevistët refuzojnë ofertën e “Boeingut” për rritje page prej 35 për qind

Punëtorët grevistë të “Boeingut” kanë refuzuar ofertën e re nga gjiganti i prodhimit të avionëve, që përfshinte rritje page prej 35 për qind gjatë katër viteve të ardhshme, raporton BBC.

Sindikata e Shoqatës Ndërkombëtare të Makinistëve dhe Punëtorëve të Hapësirës Ajrore (IAM) tha se 64 për qind e anëtarëve të saj votuan kundër marrëveshjes së propozuar.

Më shumë se 30 mijë punëtorë të “Boeingut” janë në grevë, e cila filloi më 13 shtator pasi u refuzua oferta fillestare.

Disa orë më parë, shefi i “Boeing”, Kelly Ortberg, paralajmëroi se kompania është në një “udhëkryq” pasi humbjet në firmë u rritën në rreth 6 miliardë dollarë.

“Pas 10 vitesh sakrificash, ne kemi ende terren për të bërë dhe shpresojmë ta bëjmë këtë duke rifilluar negociatat menjëherë”, thanë përfaqësuesit e sindikatës në një deklaratë. “Kjo është demokracia në vendin e punës – dhe gjithashtu dëshmi e qartë se ka pasoja kur një kompani keqtrajton punëtorët e saj vit pas viti”.

“Boeing” ende nuk ka komentuar publikisht refuzimin e ofertës së fundit.

Është hera e dytë që punëtorët grevistë refuzojnë një marrëveshje të propozuar në një votim zyrtar. Oferta e mëparshme u refuzua muajin e kaluar nga 95 për qind e punëtorëve.

Më herët, Ortberg, i cili mori postin e shefit ekzekutiv në gusht, ka theksuar se kishte punuar “nën ethe” për të stabilizuar firmën, pasi ajo po punonte për të riparuar reputacionin e saj, i cili është goditur nga shqetësimet e prodhimit dhe sigurisë.

“Kjo është një anije e madhe që do të marrë pak kohë për t’u kthyer, por kur të ndodhë, ka kapacitetin të jetë përsëri e mrekullueshme”, ka thënë ai.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com


Postuar

,

nga

Etiketa: