Në gjykimin ndaj të akuzuarve Premton Ibërdemaj, Ylli Hoxha, Uran Hasani, Arbër Kaqorraj, Armend Loshaj sot, më 25.10.2024, në Gjykatën e Prishtinës ka dhënë dëshminë dëshmitari Sami Hoti.
Të akuzuarit Ylli Hoxha, Premton Ibërdemaj, Uran Hasani, Arbër Kaqorraj dhe Armend Loshaj akuzohen nga Prokuroria se më 12.10.2015 gjatë një proteste u kishin shkaktuar lëndime të rënda trupore dy zyrtarëve policorë të Kosovës si dhe kishin shkaktuar dëm në vlerë prej më shumë se 20 mijë euro disa institucioneve.
I dëmtuari Sami Hoti, i cili sot ishte në cilësinë e dëshmitarit, fillimisht u mor në pyetje nga prokurori Kastriot Berisha.
“Me personat që ndodhen në këtë sallë në pozitën e të pandehurve a keni pasur ndonjë problem para datës 12 tetor 2015?” – e pyeti prokurori Berisha dëshmitarin.
“Nuk kam pasur asnjë problem me asnjërin nga këta persona” – tha Sami Hoti.
Dëshmitari gjatë dëshmisë së tij rrëfeu se mjetet të cilat ishin hedhur në drejtim tyre kishin qenë gurë, copa të betonit, të trotuarit e gjithçka që kishin hasur në rrugë dhe që kishin mundur të shfrytëzonin kundër tyre.
Dëshmitari Hoti gjatë marrjes në pyetje nga prokurori tha se personat të cilët i ka identifikuar në protestë i kujtohen, se mund të ketë harruar ndonjë detaj mirëpo ngjarja në përgjithësi dhe veprimet dhe personat të cilët i ka identifikuar në protestë i kujtohen mirë.
“Atë natë a keni arritur të identifikoni ndonjërin si pjesë të turmës?” – e pyeti dëshmitarin prokurori Berisha.
“Atë natë e kam identifikuar kur e kam parë të arrestuar Ylli Hoxhën por edhe gjatë protestës, zotërinë në fjalë e kam identifikuar edhe si shkak i paraqitjes të shpeshta nëpër media gjatë kohës së organizimit të protestave por edhe pas saj” – tha dëshmitari Hoti.
Po ashtu ai rrëfeu se edhe Premton Ibërdemajn e kishte identifikuar vetëm në bazë të fizionomisë, më saktësisht në bazë të stilit të flokëve të tij dhe më pas e kishte identifikuar me emër dhe mbiemër.
“A i keni parë veprimet e të pandehurve që i identifikuat pak më parë në natën kritike?” – ishte pyetja e radhës nga prokurori Kastriot Berisha.
“Për vetë faktin që ka qenë protestë e dhunshme, nuk po e sqaroj edhe një herë se ka video-incizime shumica e protestuesve në atë protestë kanë qenë të dhunshëm, në mesin e personave të asaj proteste kanë qenë edhe personat në fjalë, të cilët edhe kanë bërë hedhje me sa më kujtohet kanë qenë si pjesë e stafit udhëheqës dhe kanë orientuar turmën me veprimet e tyre” – tha Hoti.
Pas përfundimit të pyetjeve nga prokurori, i akuzuari iu përgjigj edhe pyetjeve të avokatit të të akuzuarit Premton Ibërdemaj, avokati Labinot Vata dhe nga mbrojtësi i të akuzuarit Ylli Hoxha, avokati Blerim Hertica.
“Ju thatë të mbrojturin tim e keni identifikuar në bazë të stilit flokëve. A nënkupton që e keni identifikuar si pjesëmarrës në protestë apo e keni parë veçanërisht këtë duke demoluar hyrjen” – e pyeti avokati Labinot Vata, i cili mbron të akuzuarin Premton Ibërdemaj.
“Në momentin që është demolu stacioni Qendra, Premtoni ka marrë pjesë aktivisht në hedhjen e mjeteve të forta. Në momentin që unë jam lëndu gjithashtu Premtoni ka marrë pjesë në hedhjen e mjeteve të forta por jo vetëm Premtoni, edhe në momentin që janë demolu dhe shkatërru prona publike, lëndimet e zyrtarëve policorë, pronat e policisë së Kosovës ka qenë pjesëmarrës aktiv” – tha Hoti.
Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Ylli Hoxha, avokati Blerim Hertica, e pyeti dëshmitarin se a i ka parë video-incizimet për të cilat deklaroi se ka.
“Jo, s’i kam pa ato video-incizime” – tha Hoti.
“Arsyeja pse ky është arrestuar është se ka gjujtë” – shtoi tutje dëshmitari sot gjatë dëshmisë së tij.
Dëshmitari Sami Hoti pritet që dëshminë e tij ta vazhdojë gjatë muajit nëntor.
Ky rast po trajtohet në Departamentin e Përgjithshëm të Gjykatës së Prishtinës nga gjyqtari Eroll Gashi ndërsa aktakuza po përfaqësohet nga prokurori Kastriot Berisha.
Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?
Sipas dosjes së Prokurorisë, më 12.10.2015, të pandehurit Premton Ibërdemaj, Ylli Hoxha, Uran Hasani, Arbër Kaqorraj, Armend Loshaj akuzohen se kanë marrë pjesë në turmën e mbledhur prej më shumë se tetë personave, të cilët me veprimet e përbashkëta kanë shkaktuar rrezik të përgjithshëm në atë mënyrë që kanë gjuajtur me gurë dhe gjësende të forta në drejtim të zyrtarëve policorë, të cilët kishin qenë duke parandaluar rrezikun ndaj qytetarëve dhe duke mbajtur rendin dhe qetësinë publike.
Tutje sipas aktakuzës të akuzuarit kishin ndezur kontejnerët e mbeturinave dhe i kishin zhvendosur përgjatë rrugës, pastaj i kishin shtyrë kontejnerët e ndezur në drejtim të kordonëve policore, kishin hedhur kokteje të molotovit, duke ua vënë zjarrin automjeteve zyrtare të institucioneve të Kosovës, kishin gjuajtur gurë dhe gjësende të forta në drejtim të objektit të stacionit policor Qendra, kishin demoluar hyrjen kryesore zyrtare të këtij objekti në katin përdhes dhe kishin thyer xhamat e dritareve në katin përdhes, në katin e parë dhe në katin e dytë, kishin dëmtuar kornizat e dritareve, kishin dëmtuar inventarin brenda zyrave, si dhe kishin dëmtuar fasadën në murin ballor të këtij objekti.
Gjithnjë sipas dosjes së Prokurorisë, të pandehurit thuhet se kishin djegur një automjet zyrtar dhe kishin dëmtuar pjesërisht 7 automjete zyrtare, si dhe u kishin shkaktuar lëndime të rënda trupore zyrtarëve policorë të Kosovës P.K. dhe F.V. dhe i kishin shkaktuar dëm në vlerë prej më shumë se 20 mijë euro stacionit policor Qendra në Prishtinë, Zyrës së Prokurorit Disiplinor, KQZ/DAP-së-së, selisë së PDK-së në Prishtinë si dhe KRM ”Pastrimi”, në Prishtinë.
Me këto veprime, Prokuroria i ngarkon të akuzuarit se kanë kryer veprën penale – pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm.