RRUFE

Gjykimi i dy zyrtarëve të ‘Eko-Regjionit’, dëshmitarja jep versionin e saj para gjykatës

Dy zyrtarë të kompanisë “Eko-Regjioni”, Salih Shala dhe Nehat Basha janë ulur sërish në bankën e të akuzuarve më datë 18.10.2024 në Gjykatën e Prizrenit.

Salih Shala, si menaxheri i Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Eko-Regjioni” në Dragash dhe Nehat Basha, kryeshef ekzekutiv i ”Eko-Regjionit” në Prizren po përballen me akuza për keqpërdorim të detyrës.

Në seancën e së premtes para trupit gjykues në krye me gjyqtaren Teuta Krusha, ka deklaruar dëshmitarja Majlinda Gërguri – Susuri.

Gërguri – Susuri deklaroi se “tani nuk më kujtohet se kompania Eko-Regjioni, ka pasur konkurs për praktikantë.”

Dëshmitarja tha se pasi kishte dorëzuar dokumentet në kompaninë “Eko-regjioni”, kishte pritur disa muaj, sipas saj më pas me kalimin e kohës kishte marrë një telefonatë nga kompania të cilët e kishin njoftuar për një projekt, të cilët si kompani e kishin arritur me Komunën e Prizrenit, e që kishte të bënte me varrezat.

Ajo shtoi se gjatë bisedës kishte kuptuar që ishte ftuar që të punonte si praktikante në qendrën e thirrjeve të kësaj kompanie, e që ka të bëjë me projektin në fjalë.

E njëjta deklaroi se gjatë punës si praktikante ka pasur kontratë të punës dhe se ishte paguar. Sipas saj, sa i kujtohej kontratën e kishte lëshuar kompania e “Eko-Regjioni”.

Tutje, deklaroi se kontratën e punës për pranimin e saj si praktikante e kishte nënshkruar kryeshefi ekzekutiv, që në atë kohë ka qenë Nehat Basha, tashmë i akuzuari.

Pas përfundimit të dëgjimit të dëshmitares, u caktua që seanca e radhës të mbahet me datë 21.10.2024.

Aktakuza Salih Shalën dhe Nehat Bashën po i ngarkon se si persona zyrtarë, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin nuk i përmbushin detyrat me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër apo që t’i shkaktojnë dëm tjetrit.

Aktakuza thotë se i  pandehuri Salih Shala më 27.08. 2019 i bën kërkesë të akuzuarit Nehat Basha që jashtë procedurave të prokurimit të bëhet shtyrja e mbeturinave në deponinë sanitare “Trokan” në Dragash.

Sipas Prokurorisë, ky i fundit kërkesën e miraton më 28.08.2021, me ç’rast kompanisë KRM “Eko-Regjioni” në Prizren i shkakton dëm material prej 2,700 euro.

Ndërkaq, sipas pikës së dytë të aktakuzës, i pandehuri Nehat Basha akuzohet se nga data 01.01. 2019 e deri më 01.08.2020, në kundërshtim me Ligjin e Punës, pa shpallur konkurs publik, lidh kontrata pune për kohë të caktuar, për kohë të pacaktuar ose kontrata pune për detyra specifike.

Në këtë mënyrë, sipas aktakuzës, të pandehurit kanë kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.


Postuar

, ,

nga