Qytetarëve të Kosovës ka raste që u kërkohet nga stafi shëndetësor që të blejnë ilaçe edhe kur stoqet e institucioneve publike shëndetësore janë të mbushura me to. Për këtë dukuri të “fshehjes” së barnave janë në dijeni edhe krerët instucionalë, përfshirë ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.
“Vështirë e kam me i ble [barnat], veç m’kanë ndihmu dashamirët e akrabaja jem. 100 euro pension që i marr- se jam e paaftë për punë, nuk më dalin” – thotë një paciente rreth të 40-tave, e cila është nisur për të blerë barna në barnatoren private që është pak metra jashtë oborrit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Në kushte anonimiteti, ajo tregon se shpenzon nga 50 deri në 70 euro për dy apo tri pako barnash për të cilat thotë se i bëjnë rreth një javë.
Në mungesë të barnave nëpër klinika e spitale publike, ajo detyrohet që t’i blejë vetë ato.
Por, edhe kur raftet e këtyre institucioneve janë të mbushura me barna, në raste të caktuara disa mjekë e infermierë u kërkojnë familjarëve të pacientëve që t’i sigurojnë vetë ato, me arsyetimin se nuk janë të furnizuar me ato lloj ilaçesh.
Raste të tilla të “fshehjes së barnave” dëgjohen të rrëfyera rëndom në ambiente familjare e shoqërore, por ky fenomen është diskutuar edhe në Komisionin parlamentar për Shëndetësi, më 04.10.2024 mes deputetëve dhe ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia.
Vetë ministri e pranoi se është në dijeni se raste të tilla ndodhin, por nuk ishte i informuar se çfarë masash janë marrë në këso rastesh.
“Ka edhe mjekë dhe infermierë që ndoshta nuk janë të ndërgjegjshëm sa pjesa dërrmuese e tyre dhe ka ndodh që ju kanë thanë [familjarëve të pecientëve]: ‘Nuk e kemi, dil bleje’. Dhe kur ka bërë ankesë ose në Ministrinë e Shëndetësisë ose në ShSKUK, ka dalë që Barnatorja Qendrore në QKUK është plot me atë preparat” – tha ministri Vitia.
E krejt ky diskutim nisi kur Vitia i tha deputetit të AAK-së, Shemsedin Dreshaj se në disa raste kur ai i është ankuar për mungesa në Klinikën e Infektivës, nuk kanë dalë të tilla kur personalisht e ka vizituar Klinikën.
“Më ka ndodh disa herë që ju keni ardhë më keni thanë mungon kjo, mungon kjo në Klinikën Infektive dhe me seriozitetin ma të madh të nesërmen kam shku dhe kanë qenë të gjitha” – tha Vitia.
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, i cili dikur ishte ministër i Shëndetësisë replikoi duke thënë se kjo ndodh sepse stafi i fsheh barnat.
“Kjo mund të jetë e vërtetë ministër. Por kjo do të thotë që duhesh me shku ma shpesh se ata edhe i fshehin, që ka ndodh 100 e 1 mijë herë. Por, kjo varet qysh menaxhon brenda. Shumë e vërtetë është, pajtohem plotësisht me ty, që kur ke shku ti i ke gjetë. Se kam përvojë në këtë drejtim” – tha Zemaj.
Një përvojë të ngjashme me “fshehje të barnave” e ndau edhe deputetja e LVV-së, Labinotë Demi Murtezi në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Ajo tregoi se si është thënë që të blejë barna me pretekstin se nuk ka, e pas disa minutave, në prani të drejtorit, ka rezultuar se klinika është e furnizuar me ato barna. Madje, ajo tha se
“Personalisht jam dërgu me ble diçka në barnatore por që janë gjetë ndërkohë, kur erdhi drejtori u gjetën në qendrën emergjente. A janë marrë masa për ata persona? Ose në përgjithësi qysh trajtohen këto raste?” – pyeti deputetja ministrin.
Megjithatë, ministri nuk pati një përgjigje konkrete edhe pse tha se kanë pranuar ankesa të tilla.
“Nuk është hera e parë që na ka ndodh. Kemi pas ankesa edhe ka pas reagime. Tash për masa disiplinore që janë marrë, për besë nuk e di. Mund ta pyes drejtorin e ShSKUK-së dhe të QKUK-së dhe të kthehem me një feedback (përgjigje) që ma japin atje” – iu përgjigj ministri.
KALLXO.com kontaktoi deputeten për të sqaruar se për cilin drejtor bëhet fjalë. Ajo tha se i pranishëm ka qenë drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi dhe dha disa detaje të tjera.
“Stafi që ka qenë aty momental nuk e ka gjetë, ka thanë që s’ka pas. Ndërsa, kur ka ardhë motra kryesore i ka gjetë. A i ka pas ajo diku rezervë apo s’kanë pas qasje këta në barnatoren e Emergjencës nuk e di. Vetëm se kur kemi ardhë jemi njoftu që ka pasë, bile kanë dashtë me na i kthy, por na veç i patëm ble. Kjo ka mujt me qenë krejt rastësi” – shtoi Demi Murtezi.
Gjatë deklaratës së saj në Komision, ajo tha se barnat duhet të jenë aty për qytetarët, e jo vetëm për deputetë, drejtorë a ministra. Madje, ajo tha se dikush nga stafi ka thënë se deputetja i ka blerë barnat vullnetarisht.
“Ky ka qenë rast që ka ndodh brenda pak minutave ‘Jo s’kemi’, ‘Po kemi’. Ose ‘vullnetarisht deputetja dashti me shku me i ble’. S’kam shku me i ble vullnetarisht, se vullnetarisht ndoshta kisha ble NaCl ose diçka tjetër, jo bash Fraksiparinë e Teal” – ka thënë deputetja.
Ministri bëri thirrje që qytetarët t’i raportojnë këto raste në institucione, që pastaj “ata të marrin masa ndaj individëve të papërgjegjshëm që mund t’i bëjnë këto gënjeshtra në kurriz të xhepit të qytetarëve”.
Edhe drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (ShSKUK), Elvir Azizi kishte folur për këtë temë në një intervistë për KALLXO.com të realizuar në qershor të këtij viti. Ai kishte thënë se kjo ndonjëherë ndodh edhe për t’i “rënë rrugës më të shpejtë”.
“Edhe vetë kam pas raste kur mjekët kanë pas ndonjë urgjencë ose kanë qenë më të stresuar, në vend se me kërkuar në Barnatoren Qendrore dhe me shku me sistem të rregullt, kanë dashtë me i ra rrugës më të shkurt dhe nganjëherë – mos të them edhe shpesh, i kam gjet duke i thanë [pacientit] ‘shko bleje’, se e kanë ditë që shkon pacienti më shpejt në barnatoret që janë 100 metra prej këtu, se sa me bo kërkesë zyrtare në Barnatore Qendrore, e cila mandej i furnizon” – kishte treguar ai.
Këtë çështje, ai pati thënë se e kanë adresuar përmes një kampanje informimi me drejtorët e klinikave, që sipas tij, kanë jetuar në “ishuj të veçantë”.
Për t’i “bashkuar në një ishull”, ai thotë se i kanë informuar se shumë shpejt do të pasojnë sanksione nëse nuk e përdorin rrugën zyrtare të furnizimit
Megjithatë, ShSKUK-ja nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e dërguara nga KALLXO.com më 04.10.2024 se a kanë marrë ndonjëherë masa ndaj profesionistëve shëndetësorë që kanë vepruar në këtë mënyrë.
KALLXO.com ka raportuar për furnizimin e pamjaftueshëm me barna edhe nëpër komuna, të cilat janë përgjegjëse për nivelin parësor shëndetësor.