Në fillim të sheshit “Car Lazar” në Mitrovicë të Veriut është hapur më 01.10.2024 lokali “Missini Sweets”.
Ngjitas degës së Postës së Kosovës, e përballë restorantit “Heb’s” ka zënë vend lokali i ri, po ashtu me pronar shqiptar, ku do të ëmbëlsohen qytetarët e Mitrovicës.

Të pranishëm në këtë hapje ishin shumë klientë, të cilët drejtoheshin edhe mbushnin tavolinat,
Policia e Kosovës dhe EULEX qëndruan afër lokalit, ndërsa brenda ishte ulur kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.



Pronari i lokalit, Astrit Misini, në një prononcim për KALLXO.com tha se nuk pret të ketë tensione nga qytetarët serbë në lidhje me hapjen e këtij lokali teksa potencon se gjatë kohës sa KALLXO.com ishte në terren nuk kishte asnjë klient serb të pranishëm.
“Pritshmëritë tona janë të bëjmë biznes të mirë e të mirëfiltë, shpresojmë që do të na presë edhe kjo pjesë e qytetit të Mitrovicës. Për momentin sa po e shoh janë vetëm klientë shqiptarë, në ditët në vijim do të shohim a do të ketë klientë serbë. Duke marrë parasysh se “Missini” njihet si brend kualitativ në pastiqeri dhe ushqime edhe duke pa konkurrëncën në veri besojmë se me produktet tona do t’i bindim me ardhë me ble produkte të “Missini”. Besoj se nuk do të ketë tensione ngase shteti i Kosovës ka pasur sigurinë e mirë. Për momentin punëtorë serbë të interesuar nuk ka pasë, ditëve në vazhdim do ta shohim”- tha pronari.


Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, tha se inkurajon pronarët të hapin biznese në veri teksa sipas tij deri më tani nuk ka pasur asnjë tension nga pala serbe.
“Është shumë hap pozitiv, si komunë e veriut me qeverisje afër një vit e gjysmë qeverisje jemi duke i inkuraju të gjitha kompanitë, biznismenët me ardhë me i hapë selitë e tyre, bizneset e tyre në komunën tonë. Edhe sot mora pjesë në hapjen e një biznesi të gastronomisë i cili operon në qytetet e tjera të Kosovës e prej sot në veri. Aq sa unë jam i informuar prej që janë hapur këto binzenese nuk ka pasë tensione”- tha Atiq për KALLXO.com.
I pyetur se a pritet të ketë klientelë multietnike, i pari i Komunës shprehet optimist.
“Komuna e veriut është duke e kaluar një farë faze muj me thënë të tranzicionit, është duke e lënë prapa atë historinë e errët kështu që unë jam optimist se çdo ditë e ma mirë do të jetë situata”- tha ai.


Foto: Florinda Kelmendi/ KALLXO.com
Ndryshe, në sheshin ‘Car Llazar’ në Mitrovicë të Veriut është hapur më 29.08.2024 dega e Postës së Kosovës.
Në momentin e hapjes së Postës, të pranishëm ishin edhe Policia e Kosovës, të cilët u ballafaquan me një grup të vogël të protestuesve.
KALLXO.com ka raportuar më 26.08.2024 se thirrjet për bojkot ndaj bizneseve me pronarë shqiptarë në veri po vazhdojnë ende.
Në një grup në gjuhën serbe në rrjetin social “Telegram” më 26.08.2024 pati disa postime me rastin e hapjes së marketit “Meridian” në afërsi të sheshit “Car Llazar” në Mitrovicë të Veriut.
KALLXO.com ishte në vendin e ngjarjes kur marketi “Meridian” u hap.
Poashtu KALLXO.com realizoi një reportazh për hapjen e bizneseve shqiptare në Mitrovicë të Veriut ku pronarët kanë treguar se pse kanë vendosur të operojnë në këtë anë.
E në lidhje me këto thirrje për bojkot pronarët e intervistuar nga KALLXO.com nuk ishin fare në dijeni megjithëse asnjëri nga ta nuk beson në realizimin e këtij bojkoti.