RRUFE

Dy deputetë të LVV-së injorojnë seancën, folën në konferencë për dy prona që pretendojnë se janë tjetërsuar kundërligjshëm

Një orë para fillimit të seancës të jashtëzakonshme të thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës për shkarkimin e deputetes Mimoza Kusari- Lila, Lëvizja Vetëvendosje, mbajti një konferencë për media për një temë krejt tjetër.

Pritshmëritë e gazetarëve ishin që në konferencën e thirrur do të flitet në lidhje me këtë zhvillim politik, por pas më shumë se 15 minutave vonesë dolën të flasin deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli- Dalipi dhe Milazim Salijaj në cilësinë e anëtarëve të Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim.

Pavarësisht pyetjeve të shumta të gazetarëve se a do të merr Vetëvendosja pjesë në seancë, të dy deputetët thanë që do të flasin vetëm për temën që kanë ardhur, pra për dy keqpërdorime që po pretendojnë.

Pacolli- Dalipi dhe Salijaj folën për një raport që kanë përpiluar me gjetjet siç iu referuan ata pretendimeve të tyre se dy prona publike janë tjetërsuar jashtëligjshëm.

Të dy deputetët thanë se këto lëndë do i dërgojnë në Prokurorinë e Shtetit, se presin që pronat t’i rikthehen qytetarëve dhe se dëmet janë rreth 20 milionë euro.

Ajo, në cilësinë e kryetares se komisionit në fjalë tha se si komision kanë realizuar dy hulumtime të ndara për të dy pronat, njëra prej të cilave sipas saj gjendet të Fakulteti Teknik e tjetra te Radiotelevizioni i Kosovës.

“Rasti i parë është për pronën 68 ari në parcelat e Fakultetit Teknik e cila është tjetërsuar jashtëligjshëm. Rasti i dytë është për një parcelë të Radiotelevizionit të Kosovës, që tre hektarë janë tjetërsuar jashtëligjshëm” – tha Pacolli- Dalipi.

Sipas saj, dyshimet janë që aktgjykimi ka qenë i falsifikuar sepse askund në institucione nuk e kemi gjetur origjinalin e aktgjykimit.

Deputeti Salilaj tha se dokumentet në lidhje me këto prona dalin të jenë të falsifikuara.

“I bëjmë thirrje e Prokurorisë që prona t’i kthehet qytetarëve”- tha ai duke shpalosur gjetjet.

“Për rastin e RTP-së kemi parë që burimi i keqpërdorimit është në Prizren. Kemi pasur kontakt edhe me Gjykatën e Prizrenit. Vlera e pronës është diku mbi 12 milionë euro, jemi ardhur në përfundim që nuk është gjetur askund një dokument origjinal”- shtoi Salijaj.

Pacolli- Dalipi tha se ka persona zyrtarë publikë të mëparshëm që janë të përfshirë, por pavarësisht këmbënguljes së mediave, ajo nuk u përgjigj se në kë kanë dyshime.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka thirrur seancë të jashtëzakonshme për të premten, më 11.10.2024, me rend të ditës debatin parlamentar për komunikimet e kryetares së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila me Milan Radoiçiqin.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, në seancën plenare të 10.10.2024 ka kërkuar që të shtyhet rendi i ditës i paraparë për këtë të enjte, dhe të flitet për siç tha ai, “për involvimin e Radoiçiqit në vendimmarrjen e Kuvendit të Kosovës”.

Ai tha se Millan Radoiçiq bashkë me deputeten Mimoza Kusari- Lila e kanë përcaktuar pagën minimale në Kosovë.

“Këta dy persona kanë lënë jashtë pagës minimale kategoritë më të ndjeshme në vendin tonë, veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe invalidët e luftës. Ajo që është më tragjike- të dy bashkë paskan pasë edhe kandidat të përbashkët për Gjykatën Kushtetuese”- kishe thënë ai.

Ai kërkoi nga Kusari Lila që t’i kërkoj falje Grupit Parlamentar të PDK-së.

Kusari- Lila gjatë seancës kundështoi Shefin e GP të Partisë Demokratike të Kosovës në lidhje me pagën minimale.

“Në fakt është për keqardhje të dëgjosh shpifje dhe fabrikime. Abelard, në asnjë formë nuk po mundeni me atribu bashkëpubimin që e keni pasë ju me Listën Serbe. Aq shumë po ju mungojnë. Me qeverisjen e Kurtit, qe 28 muaj Lista Serbe nuk është këtu”- tha Kusari- Lila.

Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq e kishte marr përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë, ku u vra polici Afrim Bunjaku.

Millan Radoiçiq akuzohet se ka siguruar para që nga 2017-ta e deri më 24 shtator 2023 për të blerë armatim të rëndë e për t’i paguar pjesëmarrësit e tjerë të grupit për kryerje të veprimtarisë kriminale.

Dosja e Prokurorisë Speciale e siguruar nga KALLXO.com sqaron se Radoiçiq, në cilësinë e kreut të grupit terrorist të strukturuar, ka siguruar të ardhura në mënyrë të tërthortë, dhe pjesa më e madhe e tyre janë përdorur për armatim të rëndë.


Postuar

nga