Një muaj më parë K. Hoxha, ishte dorëzuar te autoritetet e Kosovës, si i dyshuar që kishte qenë pjesë e një grupi i cili kishte planifikuar të kryente një sulm terrorist ndaj kombëtares së Izraelit në vitin 2016.
Asokohe, kombëtarja e Izraelit erdhi në Shqipëri më 12 nëntor 2016 për të zhvilluar ndeshje futbolli për kualifikimet e Botërorit Rusi 2018.
Pasi u dorëzua te autoritetet, ai u arrestua, ndërsa siç mëson KALLXO.com i njëjti është në masën e sigurisë- atë të arrestit shtëpiak. Ndërkohë, Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Hoxhës për veprën penale të fshehjes apo moslajmërimit të terroristëve apo grupeve terroriste.
KALLXO.com ka arritur që të siguroj dosjen e akuzës për K.Hoxhën, për të cilin thuhet se “është takuar dhe ka marrë pjesë në biseda të vazhdueshme me tani të dënuarit Visar Ibishi, Burim Istrefi, Leotrim Vojvoda, Flamur Gashi, Lulzim Gashi, Arton Ahmeti, Kenan Plakaj, Leotrim Musliu dhe Besart Peci”.
Hoxha po akuzohet se jo vetëm që ishte në dijeni për ekzistimin e këtij grupi, por ishte në dijeni edhe për planifikimin e tyre për sulm terrorist ndaj kombëtares së Izraelit, një sulm i cili në atë kohë ishte parandaluar nga autoritetet e sigurisë dhe drejtësisë.
Sipas dosjes, Hoxha gjatë muajve tetor- fillim i nëntorit të vitit 2016, kishte marrë pjesë në biseda dhe ishte takuar me grupin e dënuar për rastin e njohur në publik si rasti “Izraeli”.
Në atë kohë grupi planifikonte që të kryente aktin e sulmit terrorist me eksploziv ndaj lojtarëve të Izraelit në ndeshjen që pritej të zhvillohej në Shkodër më 12 nëntor 2016.
Në dosja thuhet se Hoxha kishte njohuri për këto veprime dhe planifikime, por nuk kishte raportuar te organet e rendit.
Prokuroria fillimisht kishte hapur hetime për Hoxhën për veprat penale “përgatitja e sulmeve terroriste” si dhe “organizim apo pjesëmarrje në grup terrorist”, por me zhvillimin e hetimeve ka dalë se i njëjti ka kryer veprën e fshehjes dhe moslajmërimit të këtyre veprimeve.
Kjo për faktin se sic mëson KALLXO.com në atë kohë Hoxha ndonëse ishte pjesë e grupit nuk kishte pranuar të kryente sulmin dhe i njëjti më pas ishte arratisur për në Maqedoni.
Në dosje thuhet edhe se Hoxha para avokatit të tij, prokurorit dhe hetuesve policorë ka pranuar se ka qenë pjesë e takimeve që janë mbajtur nga grupi, një nga takimet që është mbajtur në Prishtinë në banesën e njërit prej të dënuarve për këtë planifikim, por se ai nuk ka pranuar se ka marrë pjesë në ndonjë akt terrorist.
Në kohën kur policia kishte kryer bastisje në shtëpitë e të dyshuarve për këtë cështje, në atë të K.Hoxhës ishte gjetur një armë. E për këtë armë, Hoxha kishte thënë se ishte armë rekreative me ngjyrë dhe se atë e kishte blerë në Prishtinë, bashkë me disa dylbi dhe një dron të pakompletuar. Por, për të gjitha këto kishte deklaruar se nuk kishte pasur qëllime që të kryente ndonjë akt terrorist.
https://kallxo.com/shkurt/gjykata-denon-te-akuzuarit-per-sulm-ndaj-ekipit-te-futbollit-te-izraelit/
Kryetari i trupit gjykues në rastin e të akuzuarve për përgatitje të sulmit terrorist ndaj kombëtares së Izraelit në futboll, Hamdi Ibrahimi, kishte arsyetuar vendimin me të cilin gjykata i kishte shpallur më 18.05.2018 fajtorë të akuzuarit për këtë rast.
“Ky aktgjykim është në emër të popullit dhe veprimet për të cilat të akuzuarit u shpallën fajtorë janë fuqishëm të papranueshme për Kosovën”, kishte thënë Ibrahimi gjatë leximit të aktgjykimit.
“Një i akuzuar këtu ka thënë se po ndiqet vetëm për shkak se është i besimit mysliman por ne që dimë sado pak nga kjo fe e dimë që asnjë fe e as islami nuk predikon, nxitë apo thërret për kryerjen e veprave për të cilat akuzohen”, pati thënë Ibrahimi.
Në këtë aktgjykim, nëntë të akuzuarit ishin dënuar me një total prej 35,5 vjet burg dhe mbi 5 mijë euro gjobë.
Visar Ibishi ishte dënuar me 10 vjet burg dhe 1,800 euro gjobë, Burim Istrefi ishte dënuar me 3 vjet burg, Leutrim Vojvoda me 5 vjet, Flamur Gashi me 5 vjet, Kenan Plakaj me 1 vit e gjashtë muaj dhe 1,800 euro, Arton Ahmeti me 1 vit e 6 muaj, Lulzim Gashi me 6 vjet burg, Leutrim Musliu me 3 vjet e 6 muaj, Besart Peci me 2,500 euro gjobë.
https://kallxo.com/shkurt/gjykata-denon-te-akuzuarit-per-sulm-ndaj-ekipit-te-futbollit-te-izraelit/