RRUFE

Dilema se kush duhet ta drejtojë mbledhjen e bordit të RTK-së, nuk hapen zarfet e kandidatëve për pozitën e drejtorit të përgjithshëm

Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës nuk e ka mbajtur mbledhjen në të cilën, ndër të tjera, ishte planifikuar të hapeshin zarfet me dosjet e kandidatëve që kanë konkurruar për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së.

Zarfet nuk u hapën për shkak të një opinioni ligjor të Zyrës Ligjore të RTK-së, sipas të cilit anëtarët e dorëhequr të bordit të RTK-së duhet ta ushtrojnë pozitën e tyre edhe 3 muaj pas dorëheqjes.

Sipas këtij interpretimi, Besnik Boletini ende vazhdon të jetë kryetar i bordit të RTK-së, pavarësisht dorëheqjes.

Mospajtimet e dilemat me interpretimin ligjor, e paqartësia se kush duhet ta drejtojë mbledhjen bënë që ky takim të mos mbahet sipas rendit të caktuar më parë.

Në këtë mbledhje të thirrur nga nënkryetarja e bordit të RTK-së, Albulena Mehmeti, ishin edhe Fatime Lumi-Qehaja, Dardan Beqiri e Radojica Mrdjinca, ndërsa Besnik Boletini, Arta Berisha e Biroll Urcan u lidhën online, kurse Safet Kabashaj nuk mori pjesë në takim. Sipas nënkryetares, Kabashaj mospjesëmarrjen e kishte paralajmëruar më herët. Në takim ishin edhe zv.drejtori i RTK-së, Adi Krasta, drejtoresha e Zyrës Ligjore të RTK-së, Zana Spahiu.

Nënkryetarja e bordit të RTK-së, Albulena Mehmeti tha në fillim se e kishte thirrur këtë takim pasi tashmë kishte kaluar koha ligjore e hapjes së zarfeve të kandidatëve për pozitën e drejtorit dhe nuk kishte marrë reagime nga kryetari i dorëhequr.

Mehmeti bëri të ditur se në një përgjigje për administratën e RTK-së, lidhur me pagesën e anëtarëve të dorëhequr, Zyra Ligjore e RTK-së ka konstatuar se dorëheqja e anëtarëve të bordit të RTK-së hyn në fuqi  3 muaj pas datës së dhënies së dorëheqjes.

Duke iu referuar këtij interpretimi ligjor, Mehmeti tha se së pari duhet të dihet se kush e drejton mbledhjen për sot, më 02.10.2024, e pastaj të nisë sipas rendit të përcaktuar.

Unë nuk dua ta udhëheq një mbledhje jashtëligjshëm përderisa Zyra Ligjore e konstaton se ju jeni kryetar i bordit dhe ju duhet ta udhëheqni mbledhjen e bordit, atëherë pse unë duhet ta marrë përgjegjësinë për këtë?”- iu drejtua ajo Boletinit, i cili nuk dëgjohej se çfarë thoshte përmes linjës online.

Fatime Lumi-Qehaja kërkoi të dinte bazën ligjore që ia mundëson kryetarit ushtrimin e pozitës edhe pas dorëheqjes.

“Unë nuk pranoj me fillu mbledhja e bordit pa u sqaru situata një herë e mirë. Në rast se duhet gjithsesi z. Boletini me udhëheq mbledhjen, unë pres që kryetari me udhëheq dhe jo nënkryetarja”- tha ajo.

Dardan Beqiri kërkoi sqarime lidhur me bazën ligjore të interpretimit se kryetari duhet ta ushtrojë pozitën e tij edhe 3 muaj pas dorëheqjes.

“Neni 28 (Ligji për RTK-në) e ka për pozicionin që na jep Parlamenti i Kosovës, i vetmi pozicion që na jep është si anëtar bordi. Ndërsa pozita e kryetarit dhe nënkryetarit është derivat i vendimmarrjes së bordit, d.m.th. nëse është ky interpretimi adekuat për pozitën e kryetarit”- tha Beqiri.

Opinioni i Zyrës Ligjore

Ndërkaq, Zana Spahiu, drejtoreshë e Zyrës Ligjore të RTK-së, duke iu përgjigjur dilemave të anëtarëve të bordit tha se neni 28 i Ligjit për RTK-së vlen edhe për pozitën e kryetarit dhe nënkryetarit të bordit.

“Dilema juaj ishte rreth pagesës së kryetarit, për dy anëtarë tjerë është e qartë, referuar dispozitave, neni 28 të Ligjit të RTK-së, të cilin realisht sot e kemi konfirmuar në interpretimin të cilin e kemi dhënë më 23 gusht, drejtuar edhe kryetarit të bordit, përderisa i njëjti në momentin e dorëheqjes si anëtarët e bordit aktivisht ushtrojnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre edhe 3 muaj pas dorëheqjes. Pra, pavarësisht cilësisë, anëtarët e bordit edhe në cilësinë e kryetarit dhe nënkryetarja në momentin e dorëheqjes mbajnë pozitë edhe tre muaj pas dorëheqjes”- tha Spahiu.

Meqenëse, sipas nënkryetares Mehmeti as anëtarët e bordit nuk e kanë të qartë se kush duhet ta drejtojë mbledhjen, ajo e mbylli takimin, duke thënë se takimet e tjera të bordit do të bëhen të ditura përmes komunikatave.

Boletini i gatshëm të respektojë obligimet ligjore

Meqë gjatët takimit, diskutimi online i kryetarit të dorëhequr të bordit të RTK-së, Besnik Boletini, dëgjohej fare pak, me ndërprerje ose fare, KALLXO.com ka kërkuar nga ai një përgjigje për takimin e sotëm.

Boletini tha për KALLXO.com se ka dhënë dorëheqje më 17 gusht 2024, dhe e ka formalizuar edhe përmes e-mailit më 19 gusht 2024, siç kërkohet me Ligjin për RTK-në.

Në letrën e dorëheqjes kam shkruar ndër të tjera: ‘Për të mos bllokuar punën, dhashë dorëheqje edhe nga pozita e kryetarit, pasi që janë obligime për të vazhduar procesi përpara me një kryesues tjetër, e jo një të dorëhequr, që ta udhëheq bordin edhe për tre muaj’”- tha ai, duke shtuar se pas kësaj date kryesimin e bordit e ka bërë nënkryetarja dhe ai ka marrë pjesë në një mbledhje të bordit si anëtar bordi.

“Pardje, kur kanë dalë pagat, e kam vërejtur se më ka dalë paga e plotë si atëherë kur kam qenë kryetar, dhe dje i kam shkruar një e-mail nënkryetares së bordit që ta trajtojë këtë rast sepse ka ndodhur gabim. Ndërkaq sot para mbledhjes kam pranuar nga Zyra Ligjore një shkresë se sipas Ligjit kryetari edhe pas dorëheqjes duhet të jetë në detyrë edhe për tre muaj. Prandaj sot ka qenë situata e paqartë në këtë drejtim dhe nënkryetarja e kishte ftuar udhëheqësen e Zyrës Ligjore për sqarime. Lidhur me këtë temë kishte pasur një komunikim mes bordit dhe administratës e Zyrës Ligjore më 23 gusht, por unë vetëm sot jam informuar për atë komunikim dhe kam kërkuar që të kem qasje”- tha ai për KALLXO.com.

Boletini tha se tani është duke mbledhur informacionet për të sqaruar situatëm dhe se është i gatshëm të respektojë obligimet që dalin nga Ligji i RTK-së.

Në takimin e sotëm të bordit të RTK-së, në rend të ditës ishin: Miratimi i procesverbaleve të datave 22.05.2024, 07.06.2024, 20.06.2024, 17.08.2024, 15.07.2024, 22.07.2024, 03.09.2024; Hapja e zarfeve për pozitën e drejtorit të përgjithshëm në RTK; Diskutim i raportit tremujor financiar prill – qershor 2024; Diskutim i skemës programore; Diskutim për funksionalizimin e fact checking news, dhe të ndryshme.