RRUFE

Çështja e ushqimit, Ministria e Mbrojtjes: I pavërtetë lajmi se Maqedonci ka dërguar letër tek Kurti

Ministria e Mbrojtjes ka dalë me një sqarim sa i përket ushqimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), temë e cila po diskutohet edhe të hënën (14.10.2024) në një seancë të jashtëzakonshme në Kuvend – e cila është bojkotuar nga pozita.

Ministria ka mohuar raportimet se ministri Ejup Maqedonci i ka dërguar letër kryeministrit, Albin Kurti.

“Fillimisht duam të sqarojmë që është i pavërtetë lajmi se ministri Maqedonci ka dërguar letër tek kryeministri Kurti përmes së cilës gjoja ministri thekson se refuzon të nënshkruajë kontratën e furnizimit me ushqim me operatorin e ri ekonomik. Një letër e tillë nuk është dërguar” – thuhet në sqarimin e Ministrisë të publikuar në Facebook.

Më tej thuhet se tenderi për ushqim është anuluar me udhëzim të ministrit, dërguar më 11.10.2024, për shkak të “kontestit që ekziston ndërmjet grupit të operatorëve të shpallur fitues, njëri nga të cilët ka dërguar dhe personalisht kërkesë për anulim të tenderit”.

Kjo pasiguri ligjore, thuhet se ka bërë që Maqedonci të mos nënshkruajë kontratën, por është shtuar se tenderi panënshkruar nuk prodhon asnjë pasojë juridike apo financiare.

Prandaj, ministria thotë se në konsultim me zëvendësministrin, këshilltarët, komandantin dhe strukturat relevante të FSK-së, ministri ka vendosur që koncepti i vetë qëndrueshmërisë është opsioni më i mirë për zgjidhjen e problemi të kahmotshëm të ushqimit.

“Mosvazhdimi i kontratës me operatorin e deritanishëm s’do të thotë paralizim i ofrimit të këtij shërbimi” – thuhet në reagim.

Ministria e Mbrojtjes ka hapur konkurs për pranimin e stafit profesional të kuzhinierëve me 106 persona”. Kjo metodë, sipas këtij institucionit do t’i servojë ushqim cilësor ushtrisë, pa kosto të madhe financiare.

“Pavarësisht asaj që po tentohet të paraqitet në publik përmes përhapjes së lajmeve të pavërteta, ritheksojmë se ministria e mbrojtjes për herë të parë ka iniciuar procedurat për ngritjen e kapaciteteve vetanake” – thuhet në komunikatë.

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, opozita ka hedhur akuza ndaj Qeverisë për keqmenaxhim e sabotim të FSK-së.

Çështja e ushqimit të FSK-së është diskutuar që rreth dy javë nga partitë politike e opinioni publik.

Për këtë temë, presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar një raport të detajuar nga komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari dhe e ka ftuar në takim atë dhe ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com këshilltari për media në presidencë, Bekim Kupina, më 12.10.2024.

Problemi me ushqimin e ushtarëve të Kosovës është krijuar pasi që kontrata për tenderin e fundit të shpallur për këtë qëllim ende nuk është nënshkruar dhe rrjedhimisht ende nuk ka filluar të zbatohet. Në anën tjetër, tenderit paraprak i ka skaduar kontrata më 30.09.2024.

Ushtarakët e Kosovës aktualisht janë duke u ushqyer nga kuzhinierët e Qendrës Studentore dhe nga ata të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Opozita po akuzon Qeverinë që ushtarët po ushqehen me cilësi të dobët dhe sasi të vogël, ndërsa Ministria e Mbrojtjes ka mohuar këto akuza duke thënë se nuk ka mungesë të ushqimit dhe as të cilësisë, pasi të njëjtat produkte bazë përdoren në çdo shtëpi në Kosovë.

Sipas Ministrisë, e vetmja gjë me të cilën po përballen është mungesa në numër e stafit teknik, pasi kuzhinierët, “veçse i kemi angazhuar në këtë periudhë si rezultat i marrëveshjes me Qendrën Studentore si dhe Shërbimin Korrektues të Kosovës”.

“Ky problem do të zgjidhet sapo të mbyllet konkursi për pranimin e stafit profesional vetanak, konkurs ky që është hapur dhe çdo procedurë do të përfundoj në afat prej 45 ditësh”- ka thënë Ministria.

Disa media kanë raportuar se Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari i ka dërguar një letër Ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ku ndër të tjera ka shkruar se “do të ndërpriteshin aktivitetet e FSK-së, në rast se nuk do të gjendet ndonjë zgjidhje rreth këtij problemi”.

Lidhur me këtë letër, Ministria ka thënë se ajo është në vazhdën e komunikimit të zakonshëm ku raportohen vështirësitë të cilat hasen gjatë rrugës, dhe sigurisht se ndërtimi i kapaciteteve të vet-qëndrueshmërisë sa i përket ushqimit nuk është një proces pa vështirësi.

KALLXO.com në shtator ka publikuar hulumtimin për historinë e tenderëve njëburimor që Ministria e Mbrojtjes i dha për ushqimin e ushtarëve të FSK-së.

Ministria e Mbrojtjes që nga tetori i vitit 2023 e deri në shtator 2024 ka dhënë tre tenderë me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, kompanive të cilat ishin shpallur të pa përgjegjshme nga ana e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), e njohur ndryshe si Gjykata e Tenderëve.

Kontratat e dhëna janë në vlerë miliona euro, ndërsa janë për furnizim me ushqim për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Ndjekja e procedurës së negociuar për furnizimin me ushqim për ushtarët është kritikuar nga opozita, duke e cilësuar si të dyshimtë zgjedhjen e kësaj procedure, ndërsa Ministria ka thënë se nevoja ka qenë emergjente dhe për këtë arsye është zgjedhur kjo procedurë.

 


Postuar

nga