Në dritë nisi e pak para territ përfundoi takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Ndihmëssekretarit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike të Departamentit amerikan të Shtetit, James O’Brien.
Takimi që nisi në orën 15:00 e zgjati deri në orën 17:35 u mbajt në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.
O’Brien nuk pranoi pyetje nga gazetarët pas takimit.
Më herët gjatë ditës, ambasadori amerikan në Kosovë Jeff Hovenier e ka mirëpritur O’Brienin në vizitën e tij të parë në Kosovë, dhe ka thënë se bashkë me të do të diskutojnë me zyrtarë të Kosovës për çështjet bilaterale dhe do të ritheksojnë përkushtimin e SHBA-së për popullin e Kosovës.
Një ditë më parë, në Beograd O’Brien u takua me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Pas këtij takimi në Serbi, O’Brien tha për transmetuesin publik serb se kërkon që të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë të respektohen.
Hera e fundit kur Kurti u takua me O’Brien ishte në New York më 27.09.2024.
O’Brien së bashku me emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexender Kasanof, kishin takuar Kurtin nën margjina të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Kjo është vizita e dytë e një zyrtari të lartë amerikan në Kosovë brenda dy javësh.
Para tij, Alexander Kasanof më 11.10.2024, zhvilloi takime në Kosovë me prijësit e shtetit dhe ata të partive opozitare.
Kasanof, tha se veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës i komplikojnë kapacitetet e SHBA-së për të mbështetur Kosovën.
Kështu kishte deklaruar edhe O’Brien karshi Kosovës muaj më parë.
O’Brien në korrik i kishte bërë thirrje kryeministrit Kurti, që të koordinohet me partnerët ndërkombëtarë pasiqë autoritetet kosovare kishin mbyllur pesë objekte të strukturave paralele serbe në veri.
Ai kishte thënë që Qeveria e Kosovës duhet koordinohet me partnerët ndërkombëtarë duke theksuar se Qeveria e Kosovës duhet të ndërpresë “veprimet e pakoordinuara që ndikojnë negativisht në partneritetin tonë”.