Kur në vitin 2021, Besim Ilazi fitoi betejën për të parin e Kaçanikut, premtoi fabrikë për përpunimin e ujit, tribuna në stadium, fusha të sportit, shtigje të biçikletave, përfundim të Planit Zhvillimor Komunal, dhe shumçka tjetër.
Në emisionin ‘Jeta në Komunë’, ai u përball me këto premtime që vetë i kishte bërë.
Krypometri i KALLXO.com gjeti se Ilazi ka mbajtur premtimin për shtimin e kapacitetit të ujësjellësit dhe ndriçimin publik në Glloboçicë.
Muzafer Luma, banor i Glloboçicës deklaroi se ujë kanë mjaftueshëm në këtë fshat.
“Krejt ujin e ka pru. Kemi ujë ma shumë se që na vynë” – deklaroi Luma.
Por, ndryshe është vlerësimi për premtimin e tij për ndërtimin e fushës në Glloboçicë.
Kjo për shkak se punimet për ndërtimin e saj kanë filluar por nuk janë përfunduar ende.
Selajdin Luma nga ky fshat thotë se punët kanë filuar dhe po ecin mirë.
“Punimet deri diku janë shumë mirë, i plotëson të gjitha kushtet” – deklaroi Luma për emisionin ‘Jeta në Komunë’.
Ilazi thotë se punimet pritet të përfundojnë brenda dy javëve.
Premtim tjetër i tij ishte edhe shtegu i biçikletave dhe trotuari në Kaçanik.
Ky premtim u vlerësua me ‘Hetimet vazhdojnë’ për shkak se ende nuk kishte përfunduar shenjëzimi i shtegut.
Ilazi gjatë debatit deklaroi se një ditë para se të incizohej debati komunal, ishte kryer edhe shenjëzimi.
‘Veç një korrigjim: tek shtegu i biçikletave në Strazhë, këto fotografi janë nga dje, është kryer shenjëzimi’ – deklaroi Ilazi.
Në vitin 2021, ai premtoi se nga 9 drejtori, 3 do të udhëhiqeshin nga gratë, premtim të cilin rezulton se e ka mbajtur.
Premtimi për finalizimin e Planit Zhvillimor Komunal, është vlerësuar me ‘Hetimet vazhdojnë’ për shkak se sipas Ilazit, Vlerësimi Strategjik Mjedisor dhe vet PZHK janë dorëzuar në Ministrinë e Planifikimit Hapësinor në vitin 2023, por që ende nuk kanë marr pëlqimin nga kjo Ministri.
Krypometri për Besim Ilazin vërtetoi se ai e mbajti premtimin e tij për shtimin e numrit të punëtorëve social në Komunë.
‘Hetimet vazhdojnë’ është vlerësimi për premtimin e ndërtimit të tribunave tek stadiumi i qytetit.
“Këtu mund ta marrim si Komunë një përgjegjësi më të madhe, për shkak të neglizhencës. Nuk dua asnjëherë ta hedhim fajin gjithmonë diku tjetër kur kemi pjesë të përgjegjësisë edhe ne. Procedurat e tenderimit i kemi udhëheq ne, kurse pagesat Ministria përkatëse. Filloi në pandemia e pastaj pati inflacion, punimet u ndërprenë, kompania u tërheq dhe u ndërpre kontrata. Tash po presim çka po bën Ministria’ – deklaroi Ilazi.
Ai pati premtuar edhe një fabrikë për përpunimin e ujit në Sepetin.
Kjo fabrikë nuk është ndërtuar. Ilazi thotë që kjo ndodhi për shkak të mosfunksionalizimit të një granti qeveritar.
“Për fabrikën e ujit në Sepetin, jemi bazu nga Granti i katërt nga Qeveria. E kemi parapa këtë projekt nga ky grant. Ai grant nuk u bë asnjëherë funksional, kështu që i mbes borxh qytetarëve që nuk kemi mund, sepse janë mjete shumë për Komunën e Kaçanikut’ – deklaroi Ilazi.
Premtim tjetër i tij ishte edhe krijimi i një kompanie komunale për mbledhjen e mbeturinave.
Kjo nuk u bë, megjithatë Ilazi në “Jeta në Komunë” deklaroi se ka ndodhur pavarësimi financiar i Kompanisë Rajonale të Mbeturinave ‘Pastërtia’.