RRUFE

Berisha (AAK): Për ta ruajtur ushtrinë, shumë gjëra që i kemi ditur nuk i kemi folur

“Nuk ka lojë me ushtri” e “Na bonën horë” janë vetëm dy prej deklarata që deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha i tha gjatë fjalimit në seancën e jashtëzakonshme për problemin e furnizimit me ushqim të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Berisha hodhi një sërë akuzash në drejtim të Qeverisë dhe të Lëvizjes Vetëvendosje, duke ua përkujtuar tenderët.

“Tenderët e ushqimit- këtu ish fitimi i madh. Nëse tenderi është 10 euro, me 3 euro po u kryjshin obligimet, tjerat shkojnë nëpër xhepa të njerëzve që unë i di” – tha ai.

Ky deputet tha se që 4 vjet në këtë mandat, kanë ditur shumë gjëra, të cilat nuk i kanë folur për të mbrojtur ushtrinë.

“Unë sot e kam një kallabllak dokumente, informacione. Edhe i di të gjitha, qashtu qysh i dimë plot na. Mirëpo që 4 vjet mandat, duke dasht me e rujt ushtrinë, plot gjana që i kemi dit, nuk i kemi fol edhe i kemi mbrojt, edhe e dinë këta që janë në Qeveri. Ka shumë evidenca, shumë materiale” – deklaroi ai.

Ai pyeti se si ka mbërritur Dejona Mihali, koordinatore e komiteteve në LVV që të hyjë në Ministri të Mbrojtjes.

“Shtrohet pyetja nëse ka mbërri Mihajli me hy në Ministri të Mbrojtes, çka nuk din kojshia. Tana i din. Ne mujmë me ia mbajt msheft këtu njëri-tjetrit, e ajo tana i ka kallxu. Se qëllimi i saj është për me i dit tjetër kush këto sene” – tha Berisha, duke aluduar në Serbinë.

Për të kthyer dinjitetin, Berisha tha se sot do të duhej që të zgjidhej problemi dhe të jepnin dorëheqje, ministri, zëvendësministri e sekretari i Mbrojtjes. Për këtë të fundit tha se edhe ashtu ai është zgjedhur jashtëligjshëm.

Bekë Berisha shtoi se trajtimi i ushtarëve me neglizhencë është shkelje e përgjegjësisë e Qeverisë.

Kjo seancë është thirrur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 43 nënshkrime të deputetëve dhe me një rezolutë të propozuar.

“Propozim Rezoluta është e thjeshtë: ‘Kuvendi i Republikës së Kosovës e obligon Qeverinë, Ministrinë e Mbrojtjes, që me urgjencë ta zgjidhë çështjen e furnizimit me ushqim si dhe me të gjitha pajisjet tjera të nevojshme’. Nesër Kuvendi do të obligojë Qeverinë të zgjidhë këtë çështje. Për sqarim: ky draft i Rezolutës mund të plotësohet nga deputetët në seancë”- ka njoftuar shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri në Facebook.

Çështja e ushqimit të FSK-së është diskutuar që rreth dy javë nga partitë politike e opinioni publik.

Për këtë temë, Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar një raport të detajuar nga Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari dhe e ka ftuar në takim atë dhe Ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com këshilltari për media në presidencë, Bekim Kupina, më 12.10.2024.

Problemi me ushqimin e ushtarëve të Kosovës është krijuar pasi që kontrata për tenderin e fundit të shpallur për këtë qëllim ende nuk është nënshkruar dhe rrjedhimisht ende nuk ka filluar të zbatohet. Në anën tjetër, tenderit paraprak i ka skaduar kontrata më 30.09.2024.

Ushtarakët e Kosovës aktualisht janë duke u ushqyer nga kuzhinierët e Qendrës Studentore dhe nga ata të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Opozita po akuzon Qeverinë që ushtarët po ushqehen me cilësi të dobët dhe sasi të vogël, ndërsa Ministria e Mbrotjes ka mohuar këto akuza duke thënë se nuk ka mungesë të ushqimit dhe as të cilësisë, pasi të njëjtat produkte bazë përdoren në çdo shtëpi në Kosovë.

Sipas Ministrisë, e vetmja gjë me të cilën po përballen është mungesa në numër e stafit teknik, pasi kuzhinierët, “veçse i kemi angazhuar në këtë periudhë si rezultat i marrëveshjes me Qendrën Studentore si dhe Shërbimin Korrektues të Kosovës”.

“Ky problem do të zgjidhet sapo të mbyllet konkursi për pranimin e stafit profesional vetanak, konkurs ky që është hapur dhe çdo procedurë do të përfundoj në afat prej 45 ditësh”- ka thënë Ministria.

Disa media kanë raportuar se Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari i ka dërguar një letër Ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ku ndër të tjera ka shkruar se “do të ndërpriteshin aktivitetet e FSK-së, në rast se nuk do të gjendet ndonjë zgjidhje rreth këtij problemi”.

Lidhur me këtë letër, Ministria ka thënë se ajo është në vazhdën e komunikimit të zakonshëm ku raportohen vështirësitë të cilat hasen gjatë rrugës, dhe sigurisht se ndërtimi i kapaciteteve të vet-qëndrueshmërisë sa i përket ushqimit nuk është një proces pa vështirësi.

KALLXO.com në shtator ka publikuar hulumtimin për historinë e tenderëve njëburimor që Ministria e Mbrojtjes i dha për ushqimin e ushtarëve të FSK-së.

Ministria e Mbrojtjes që nga tetori i vitit 2023 e deri në shtator 2024 ka dhënë tre tenderë me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, kompanive të cilat ishin shpallur të pa përgjegjshme nga ana e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), e njohur ndryshe si Gjykata e Tenderëve.

Kontratat e dhëna janë në vlerë miliona euro, ndërsa janë për furnizim me ushqim për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Ndjekja e procedurës së negociuar për furnizimin me ushqim për ushtarët është kritikuar nga opozita, duke e cilësuar si të dyshimtë zgjedhjen e kësaj procedure, ndërsa Ministria ka thënë se nevoja ka qenë emergjente dhe për këtë arsye është zgjedhur kjo procedurë.


Postuar

nga