Australia do t’ia dhurojë Ukrainës 49 tanke të vjetra “M1A1 Abrams” disa muaj pasi Kievi ia kishte kërkuar këtë flotë të reduktuar të makinerisë luftarake tokësore, ka bërë të ditur më 17.10.2024 ministri australian i Mbrojtjes, Richard Marles.
Agjencia AP ka raportuar se Qeveria australiane do t’ia japë ushtrisë ukrainase shumicën e tankeve të prodhimit amerikan, që kapin vlerën prej 163 milionë dollarë amerikanë. Ato do të zëvendësohen prej një flote prej 75 tankesh të gjeneratës së re M1A2.
Në shkurt, Marles ka thënë se dhurimi i tankeve Ukrainës lidhej me agjendën e re ushtarake qeveritare të Australisë. Por të enjten ka shprehur një qëndrim më të nuancuar.
“Ne flasim me Qeverinë ukrainase vazhdimisht sesi mund ta ndihmojnë më së miri”, ka deklaruar Marles për “Australian Broadcasting Group” të Australisë.
“Ne analizojmë materialin që e kemi; efikasitetin e tij… formën në të cilin është, që të jemi të sinqertë, nëse mund të bëjë ndonjë ndryshim, nëse mund të jetë i qëndrueshëm dhe të mirëmbahet që mund të mbahet në luftë. Dhe tanket ‘Abrams’ i kanë të gjitha këto kritere”, ka thënë ai.
Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë leje Qeverisë australiane që t’i transferojë tanket në Ukrainë sikurse kërkohet në rregullat e trafikut ndërkombëtar të armëve të Shteteve të Bashkuara.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com