RRUFE

Arrestohen dy persona në Ferizaj, dyshohet se vodhën një BMW X6 dhe me targa të huaja e kaluan në Serbi

Policia e Kosovës ka  arrestuar dy persona të dyshuar për vjedhje të një veture BMW X6 në Ferizaj.

Vetura e tipit BMW X6 ishte vjedhur në garazhin e një shtëpie në rrugën “Josip Rela” në Ferizaj më 16.10.2024 rreth orës 18:45 dhe personat e dyshuar ishin larguar në drejtim të panjohur.

Siç mësohet nga Policia, hetuesit rajonal, me autorizim të prokurorit të shtetit, pasi kanë shikuar kamerat e sigurisë, fillimisht kishin identifikuar një person, i cili me makinën e tij kishte sjellë një personin tjetër te shtëpia e viktimës dhe kishin arritur ta vjedhnin veturën dhe të largoheshin në drejtim të panjohur.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka bërë të ditur se hetuesit rajonalë, më 17.10.2024 kishin arrestuar të dyshuarin e parë M.H, 51 vjeçar, i cili pas intervistimit, me vendim të prokurorit ishte dërguar në mbajtje për 48 orë. 

Sipas Policisë, i dyshuari tjetër, i cili konsiderohet si i dyshuari kryesor, 27-vjeçari F.D, kishte arritur që përmes vendosjes së targave të huaja, ta kalonte territorin e Kosovës dhe të largohej në Serbi. 

Pas shumë përpjekjeve, hetuesit rajonalë kanë rënë në kontakt me të dyshuarin F.D, 27-vjeçar, i cili më 19.10.2024 është dorëzuar në pikën kufitare me Serbinë, ndërsa ka dorëzuar edhe veturën BMW X6 tek hetuesit rajonalë.

Policia thotë se të njëjtin, pas intervistimit, e ka liruar në procedurë të rregullt. 

“Nën përcjellje të policisë është shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj dhe pas intervistimit,  me vendim të prokurorit të shtetit është liruar për procedurë të rregullt  hetimore, ndërsa si provë materiale është sekuestruar përkohësisht vetura, deri sa të përfundojnë procedurat e kthimit te pronari i saj”- thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Ky rast është cilësuar nga Policia e Kosovës si “vjedhje e rëndë”.


Postuar

nga